Grafite kundër Kosovës dhe NATO-s në veri
Një numër grafikësh kundër Kosovës dhe NATO-së janë shkruar në pjesën veriore të Kosovës.
“NATO go home”, që në shqip përkthehet “NATO shko në shtëpi”, është një nga grafitet që janë parë të enjten në Mitrovicën e Veriut.
“Brigada Veriore”, “Kjo është Serbia”, “Po presim”, “Brigada e Veriut po rritet dita-ditës”, janë veç disa prej grafikeve kontraverse.
Grafiket kundër NATO-s vijnë vetëm disa ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kishte thënë se “nëse NATO s’i mbron serbët e Kosovës atëherë këtë do ta bëjë Beogradi”.
Deklarata ishte raportuar si shqetësuese edhe nëpër mediat ndërkombëtare.
Ky diskurs i Vuçiqit rrjedh në një kohë kur do të nis zbatimi i reciprocitetit për targa dhe dokumente.
Ky vendim i Qeverisë së Kosovës i paraparë që të hyjë në fuqi më 1 gusht ishte shtyrë për 1 shtator me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Kjo pasi më 31 korrik, pak orë para se të niste zbatimi i reciprocitetit në targa dhe dokumente serbët lokalë i kishin bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak – duke shkaktuar tension në pjesën veriore të Kosovës.
Fotot janë publikuar nga portali serb “Kossev.info”.