Graham Potter emërohet trajner i ri i West Hamit
West Ham United ka ndryshuar trajnerin pas rezultateve të dobëta. Drejtuesit e West Ham United e shkarkuan trajnerin spanjoll Julen Lopetegui, kurse në krye të skuadrës e kanë emëruar Graham Potter.
Potteri e ka drejtuar Brightonin dhe Chelsean, kurse me West Hamin ka nënshkruar një kontratë për dy vjet e gjysmë.
“West Ham United është i kënaqur të mirëpresë Graham Potter si trajnerin e ri të klubit. 49-vjeçari i bashkohet Hammers me një kontratë dyvjeçare e gjysmë”, thuhet në njoftimin e West Hamit.
Në anën tjetër, pas nënshkrimi të kontratës i lumtur u shpreh edhe trajneri anglez.
“Jam i lumtur që jam këtu. Ishte e rëndësishme për mua të prisja derisa të shfaqej një punë që e ndjeja se më përshtatej, dhe po aq i përshtatet edhe klubit ku do të bashkohem. Kjo është ndjenja që kam me West Ham”, ka thënë Potter. West Ham është vetëm në vendin e 14-të në tabelë me 23 pikë të fituara, shtatë më shumë se zona e rënies.