Granit Plava: Naim Murseli më tha se do e vrisja një biznesmene serbe
Granit Plava në deklaratën e dhënë në polici, më 1 dhjetor 2023, ka deklaruar se një ditë para ditës kritike u takua me bashkëfshatarin e tij, Naim Murseli, ku ky i fundi i ka thënë se ka një rast nga i cili të dy mund të fitojnë para. Puna e tij, i ka thënë se do ishte ta vriste një biznesmene serbe dhe se pas vrasjes do t’ia jepte 30 mijë euro. Tha se kishte pranuar ta kryente vrasjen.
Ditën kritike, Plava tha se Murseli i shkoi në shtëpi me një veturë, duke i thënë se me të do ta kryente vrasjen, por që s’ka pranuar duke thënë se i duhej një veturë më e madhe. Bashkë me Naimin, tha se shkuan në Kralan dhe mori veturën nga një person. Më pas, tha se Naimi ia dha armën e i tha ta përcillte nga pas.
Pasi kishin ndarë rrugët dhe që Naimi i kishte treguar se me çfarë veture do vinte, thuhet se Plava deklaroi që kur erdhi ia bëri me drita. Gjatë gjithë kohës tha se kanë qenë në kontakt me WhatsApp dhe se i ndoqi pas në restorantin ku shkuan Naimi me tani të ndjerën dhe fëmijët. Kur deshën të largoheshin nga aty, tha se Naimi i shkroi “çohu” dhe i kishte treguar kur të niset.
Sipas tij, kur arritën afër vendit të ngjarjes, Naimi i shkroi “ti shko atje dil në pritë kurse unë po vonohem pak derisa të përgatitesh ti”. Më pas, tha se në vendngjarje i doli përpara veturës shkoi kah dritarja e pasagjerit dhe u ka thënë t’i dorëzonin telefonat.
“Qitni telefonat dhe e kam dëgjuar atë vajzën duke thënë mo mo dhe aty e kam vërejt se është shqiptare dhe kam shtënë vetëm një here dhe nuk kam dit se ku kam rrok”, citohet se deklaroi Plava.
Pas kësaj, thuhet se Plava deklaroi që ka ikur nga vendi i ngjarjes, e që rrugës tentoi ta kontaktonte Naimin por ai nuk i është lajmëruar. Nga mediat, tha se të nesërmen e kuptoi se viktima ishte bashkëshortja e Murselit, lajm i cili thotë se e tronditi ngase sipas tij po ta dinte se është shqiptare nuk do ta vriste, transmeton betimi për drejtësi
I akuzuari Granit Plava ka deklaruar po ashtu se në Polici ka qenë disa herë për raste të rrahjeve gjatë kohës kur ishte në shkollë. Tha se Naim Murseli më parë nuk i kishte kërkuar të kryente punë tjera, e se me të njihej që 10-15 vite. Planin e vrasjes, Plava ka thënë se e ka bërë Murseli dhe se puna e tij ka qenë ta përcjellë atë, t’i dalë në pritë kinse ishte grabitje dhe ta vrasë vajzën që i ka thënë se ishte serbe dhe se 30 mijë euro do t’ia jepte të nesërmen.
“Këtë gjë e kam bërë për shkak se më janë nevojitur paratë për sëmundjen e djalit tim”, citohet se tha Plava.
Për motivin se pse Naimi donte ta kryente vrasjen, Plava citohet se deklaroi që ai nuk i ka thënë asgjë vetëm se viktima ka para. Tha se viktimës nuk i kishte marrë asgjë, por mbi tavanin e veturës mori një çantë të cilën e kishte lënë Naimi, e që nga ajo s’mori asgjë dhe e hodhi.
Sipas tij, nuk e ka ditur se sa persona ishin në veturë dhe se nuk ka dëgjuar britma të fëmijëve. Tha se me sa e di askush tjetër nuk ka qenë në dijeni për rastin.
Kushtrim Kokallën, Plava ka thënë se e ka shok nga fëmijëria, dhe se me Naimin nuk njihet përmes tij, por që njihen ngase janë nga i njëjti fshat. Me Kokallën, ishte takuar një natë para vrasjes, por që thotë se ai nuk e ka ditur se do e kryente vrasjen.
Tani i akuzuari Plava ka deklaruar se ditën kur ka ndodhur rasti, Naimi ka shkuar tek shtëpia e tij ia ka dhënë 100 apo 120 euro për ta paguar veturën- naftën.
“Ndjej keqardhje për rastin në fjalë. Po ta kisha ditur se kjo është shqiptare nuk do ta kisha bërë kurrë edhe pse kam pasur shumë nevojë për para për sëmundjen e djalit tim. Për këtë Naimi e ka shfrytëzuar gjendjen time ekonomike…”, citohet se tha Plava.