Grantet për vëllain e dajën e Fitore Pacollit, Peci: S’kam ushtruar asnjë ndikim e asnjë intervenim – sulme e shpifje
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka dalë me një tjetër reagimin lidhur me grantet e ndara nga ministria që ai udhëheq, ku një prej përfituesve është vëllai i deputetes së VV’së, Fitore Pacollit. Përveç vëllait, sot u raportua se edhe daja i Pacollit është përfitues granti.
Peci ka thënë se janë mbi 1 mijë përfitues të granteve dhe se në asnjërin prej rasteve, nuk ka ushtruar ndikim e s’ka intervenuar, shkruan Reporteri.net.
Ai ka thënë se LDK e PDK po shpifin.
“Rreth pretendimit se një familjar i një deputeteje është përfites i grantit dhe pretendimit se vetëm 4 ditë para përfitimit të grantit ka hapur biznes më lejoni që t’iu qartësoj reformën që kemi ndërmarrë. Me qëllim të formalizimit ne bujqësi, cdo individ që është përfitues në vlerë më të larte se 30,000 €, para nënshkrimit të kontratës me AZHB-në, duhet t’i regjistrojnë veprimtarinë e tyre si biznes dhe investimet/shpenzimet e zbatimit të projektit duhet të faturohen në emër të biznesit. Në dy programet e fundit për zhvillim rural 351 raste të tilla, ndërmarrje të reja të regjistruara. Ndërsa rreth pretendimit se projekti i perfituar nuk është realizuar, ju informojmë se afati për implementimin e projekteve të tilla zgjat 12 muaj”, ka shkruar Peci.
Peci ka thënë se “si dëshmi që ne nuk e kemi diskriminuar askënd, në postimet e rradhës do të gjeni individë me mandate politike, të të gjitha partive politike përfitues të mbështetjes institucionale.”
Ndryshe, sot është raportuar se pos Blerim Pacollit, vëllait të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe kryetare e Komisionit për Bujqësi Fitore Pacolli, dyshohet se edhe një tjetër familjar i saj është shpërblyer me grant nga Ministria e Bujqësisë që drejtohet nga Faton Peci.