Gratë deputete të Kosovës dhe Serbisë kërkojnë rifillimin e procesit të dialogut
Gratë deputete të Kosovës, Serbisë dhe të disa vendeve të rajonit kanë kërkuar rifillimin e procesit të dialogut Kosovë – Serbi.
Kjo kërkesë është bërë në konferencën rajonale, e cila është mbajtur nga Lobi Rajonal i Grave në Evropën Juglindore (RwLSEE) në Tiranë.
Në komunikatën për medie të këtij lobi është thënë se vetëm zbatimi i marrëveshjeve të arritura në këtë proces kontribuon në stabilitetin e rajonit.
“Gratë deputete të Kosovës dhe Serbisë dhe më gjerë të rajonit kërkuan rifillimin e dialogut të bllokuar të Brukselit Kosovë-Serbi dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura, sa më shpejt të jetë e mundur, si një kontribut kyç për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Ato gjithashtu bënë thirrje për paqebërje dhe ndërtim paqeje përfshirëse gjinore në shërbim të paqes së qëndrueshme në rajon dhe më gjerë”, është thënë në komunikatën e Lobit Rajonal të Grave në Evropën Juglindore (RwLSEE), i cili udhëhiqet nga Edita Tahiri me mbështetjen e Paqes së Grave dhe Fondi Humanitar i OKB.