GRATË DHE FUSHATA: ZËRA NË SFOND APO FORCË E NDRYSHIMIT

05 shkurt 2025 | 12:36

Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

No description available.

Dita-ditës po më përforcohet bindja se gratë kanë bërë hapa të rëndësishëm përpara, megjithatë, jo aq sa do të dëshiroja unë- jo aq sa të kishin përparësinë e merituar në shoqëri. Më kujtohet mirë atmosfera e zgjedhjeve të para të pasluftës, në vitin 2001, dhe si ajo ndjenjë më ka shoqëruar ndër vite, deri në zgjedhjet e sotme të vitit 2025. Nuk e di si dhe pse, por sa herë afrohej koha e zgjedhjeve, më kaplonte një dilemë e pashpjegueshme, një lloj ndjesie e përzier që, në thelb, ndoshta ishte edhe një paragjykim i pajustifikueshëm.

Ndoshta atëherë kisha të drejtë të ndieja kështu, sepse procesi zgjedhor nuk ishte vërtet i hapur- listat ishin të mbyllura, dhe në njëfarë mënyre gjithçka dukej e përcaktuar paraprakisht nga partitë. Votuesit thjesht miratonin një vendim tashmë të marrë, pa pasur mundësinë reale të ndikonin në zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre. Por me kalimin e kohës, shumë gjëra ndryshuan: sistemi evoluoi, shoqëria u transformua dhe, bashkë me të, ndryshova edhe unë. Dhe kjo është një e drejtë themelore e çdo individi, apo jo?

E çuditshme si këtë vit po e përjetoj ndryshe gjithë këtë atmosferë zgjedhore. Nuk ndiej më atë ngurrim të dikurshëm; përkundrazi, e shoh fushatën me një lloj simpatie të re, një qasje më të relaksuar. Më kap një ndjenjë gati gazmore teksa shikoj liderët politikë të vërshojnë rrugët e qyteteve dhe fshatrave të Kosovës, duke u munduar të jenë sa më afër qytetarëve, të krijojnë lidhje të drejtpërdrejta me votuesit. Secili prej tyre e di mirë se në fund të gjithë këto përpjekje përkthehen në diçka shumë të thjeshtë, por vendimtare: sigurimin e një vote të vetme, një vote që mund të bëjë dallimin. Dhe kjo lloj dinamike, e cila dikur më dukej artificiale e madje e rëndomtë, tani më duket si një lloj loje politike që, nëse nuk bënë gjë tjetër, të paktën i jep gjallëri jetës demokratike.

Në gjithë këtë vorbull fushatash, në zhurmën e pandalshme të premtimeve dhe sloganeve, ka diçka që më shqetëson më shumë se çdo gjë tjetër: prania e grave, apo më saktë, mungesa e tyre. E kërkoj me ngulm një zë të fuqishëm gruaje nëpër debatet televizive, përpiqem të gjej një stacion ku gratë flasin me autoritet për politikat e partive të tyre, për vizionin dhe strategjitë që duan të ndjekin. Por përpjekjet e mia bien në boshllëk- pamja është e zymtë, e njëjtë si gjithnjë. Gratë ose mungojnë krejtësisht, ose shfaqen aq rrallë, saqë prania e tyre është më shumë një përjashtim sesa një rregull.

Kur rrallëherë ndonjëra del në foltore, kur ngrihet për të folur përpara elektoratit lokal, ndiej një grimë shprese, një shkëndijë që do të doja të ndizte një flakë të vërtetë. Por ato janë të pakta, të vetmuara në këtë arenë ku vendimet dhe fjalimet janë monopol i burrave. Shumica e tyre, përkundrazi, rrinë në prapaskenë- jo si aktore, por si dekor. Janë radhitur në vijën e parë të sallave elektorale, aty ku kamerat i kapin më lehtë, ose shfaqen në ndonjë fotografi që zbukuron sfondin e një tubimi. Heshtja e tyre është ulëritëse. Dhe në këtë heshtje, unë dëgjoj gjithë zhurmën e një politike që ende nuk ka bërë vendin e duhur për to.

Dhe pyes veten: a është kjo një prani e vërtetë, apo thjesht një iluzion i orkestruar nga ata që duan të krijojnë pamjen e një përfaqësimi që nuk ekziston? A është ky një reflektim i realitetit apo një farsë e përsosur, ku gratë janë të ftuara vetëm si hijeshi, jo si lidere? Më duket sikur qëndrojnë aty me një durim të gjatë dhe të hidhur, duke pritur një fjalë, një hapësirë, një mundësi për të thyer këtë mur të ftohtë dhe të padepërtueshëm.

Por deri kur do të mbesin vetëm hijet e politikës? Deri kur do të jenë spektatore në skenën ku vendosen fatet? Dhe më e dhimbshmja: deri kur do të pranojnë këtë rol të heshtur, këtë ekzistencë në periferi, pa e shkundur pluhurin e rendit të vjetër?

Në kaosin e fushatës zgjedhore, në rrugët e mbushura me bilborde që u ngritën me ngut, në çdo cep të Prishtinës dhe qyteteve të tjera të Kosovës, vështirë është të gjesh një fytyrë gruaje që shfaqet me krenari. Dhe nëse diku, rastësisht, ndonjë fytyrë shfaqet, është e zbehur, e vogël, si një hije në sfond. Nuk janë në qendër, nuk janë në ballë- i gjej shpesh të tretura në qoshet e ndonjë stacioni autobusi, në ndonjë reklamë të ngushtë mes kolonave të portaleve, diku kah mesi ose kah fundi, të renditura sipas fuqisë së xhepit dhe jo të meritës.

Është e habitshme, por edhe e trishtë- gratë që synojnë të jenë zëri i elektoratit, të jenë përfaqësuese të popullit, reduktohen në imazhe të vogla, në fragmente që mezi vërehen mes fushatës së zhurmshme, të dominuar nga burrat. Ato nuk janë simbol i forcës, i ndryshimit, i ambicies- janë thjesht një element i përfshirë për hir të korrektësisë, një prani që duket më shumë formale sesa thelbësore.

Dhe në këtë lojë politike, ndodh ndonjëherë që gratë të kenë fatin të thonë një fjali të vetme në reklamat e ndonjë partie. Një fjali, një fije shprese, një zë që me vështirësi depërton mes gjithë retorikës mashkullore. Por një fjali nuk është mjaft. Një fotografi e zvogëluar nuk është mjaft. Një vend në qoshet e stacioneve apo faqeve të fundit të portaleve nuk është mjaft.

Sepse gratë nuk janë dekor. Nuk janë hije në prapavijë. Nuk janë emra të vegjël në fund të listave. Ato janë fuqi, janë mendje, janë zëra që duhen dëgjuar. Dhe pyetja që mbetet pezull në ajrin e rënduar të këtyre zgjedhjeve është: deri kur do të pranojnë të mbeten në margjinat e një skene ku meritojnë të jenë protagoniste?

“Nejse…” – do të thoshte një mike imja me një lloj dorëzimi të butë, si për të mbyllur një bisedë që nuk ka një përfundim të kënaqshëm. Por si mund të thuash “nejse” kur flasim për angazhimin e gruas në politikë dhe vendimmarrje? Si mund ta lëmë pezull këtë temë, kur realiteti ynë, me gjithë barrën e historisë, na imponohet pa mëshirë? Të jetosh në Ballkanin e trazuar, në Kosovën e re e demokratike, dhe të mos përballesh me sfidat e gruas në politikë, do të ishte një absurditet, një mohim i një të vërtete që na ndjek si një hije e gjatë në çdo rrugëtim.

Historia nuk ka qenë kurrë e heshtur për gruan shqiptare. Nuk ka qenë spektatore, nuk ka qëndruar në hije. Në faqet e kohërave të largëta dhe të afërta, ajo ka qenë aty, një forcë e heshtur, por e pathyeshme. Po të nisim këtë udhëtim nga lashtësia, do ta gjejmë atë që në fronin e Ilirisë, tek mbretëresha Teuta (230-228 p.e.s), e cila sundoi me mençuri dhe guxim, duke sfiduar fuqitë e mëdha të kohës. Një grua që nuk e njihte frikën, që nuk e pranonte nënshtrimin. Një grua që ngriti një popull dhe mbrojti një atdhe.

Dhe nuk ndalet këtu rruga e gruas shqiptare në histori. Ajo ecën, përshkon shekuj, duke u shfaqur në çdo kthesë të fatit të këtij kombi. Ishte aty në betejat për liri, në luftërat për mbijetesë, në përpjekjet për një identitet të paprekur. Ishte në skenën e historisë, ndonëse jo gjithmonë në faqet kryesore. Në shtëpitë ku përgatiteshin luftëtarët, në kuvendet ku merreshin vendime, në rrugët ku revoltat nisnin, gruaja shqiptare ka qenë gjithmonë pjesë e pandashme e proceseve për liri dhe pavarësi.

Por sa ka ndryshuar sot kjo histori? A ka arritur gruaja shqiptare të marrë vendin që i takon në politikë dhe qeverisje? Apo ende e gjejmë të shtyrë në prapaskenë, të harruar në hijen e një sistemi që e trajton praninë e saj si një koncesion, jo si një të drejtë të fituar? E vërteta është se rruga është e gjatë dhe sfidat janë të shumta. Megjithatë, ajo histori që filloi me Teutën nuk mund të ndalet. Ajo vazhdon, ecën përpara, duke kërkuar të mos mbetet më thjesht një prani simbolike, por një forcë e gjallë, një realitet i patjetërsueshëm i vendimmarrjes dhe drejtimit. Dhe kështu, nuk ka vend për “nejse”, sepse rruga e gruas në politikë nuk është një çështje që mund të lihet për më vonë. Ajo është urgjente, e domosdoshme, e pashmangshme.

Mendoj, dhe me bindje e pohoj, se gruaja jonë meriton një trajtim ndryshe- një qasje që nuk e sheh atë si një përjashtim, por si një forcë të barabartë, të denjë për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për të ndërtuar të ardhmen e shoqërisë. Barazia mes burrit dhe gruas nuk mund të mbetet një koncept abstrakt, një ideal i shkruar në parimet e demokracisë, por i papërkthyer në realitet. Nuk mjafton të thuhet se gratë dhe burrat kanë të njëjtat mundësi, nëse ato mundësi nuk janë reale, të prekshme dhe të barabarta në çdo hap të rrugëtimit të tyre.

Gruaja nuk është e aftë vetëm brenda kufijve të një “ndryshimi natyror” të paracaktuar- ajo është e aftë në çdo sferë ku intelekti, vizioni dhe përkushtimi janë çelës për suksesin. Historia e ka dëshmuar këtë. Sa herë që i është dhënë hapësira, ajo ka udhëhequr, ka vendosur, ka ndërtuar. Nuk ka asnjë arsye, përveç atyre të krijuara nga vetë shoqëria, që gruaja të mos jetë në të njëjtin nivel me burrin në politikë, në ekonomi, në çdo aspekt të jetës ku merret një vendim që formëson të ardhmen.

Por kjo barazi nuk do të vijë vetvetiu, as nuk do të dhurohet nga ata që tashmë mbajnë pushtetin. Ajo duhet të vijë si rezultat i angazhimit të vetë gruas, si një përpjekje e pandalshme për të dalë nga hijet dhe për të zënë vendin që i takon me meritë. Asgjë nuk është më e fortë se një grua që e di vlerën e saj dhe nuk lejon që askush t’ia diktojë kufijtë e mundësive.

Ndaj, nuk mjafton vetëm dëshira, as mbështetja që vjen nga jashtë. Vetë gratë duhet të besojnë në forcën e tyre, të shtyjnë përpara kufijtë e ngushtë të mentalitetit të vjetër dhe të mos presin që dikush t’u hapë derën- por ta hapin vetë, me vendosmëri, me guxim, me bindjen se vendi i tyre nuk është në margjina, por në qendër të vendimmarrjes. Vetëm atëherë, barazia do të jetë më shumë se një ideal- do të bëhet realitet i jetuar.

Shoqëria jonë ka nevojë për një rizgjim të mendimit, një riformësim të perceptimit të saj për gruan- jo si një qenie e dytësuar, jo si një figurë që qëndron në sfond, por si një forcë e domosdoshme për të ndërtuar dhe udhëhequr. Ky ndryshim nuk mund të vijë si një dhuratë nga lart, as si një akt simbolik i një kohe që dëshiron të duket moderne. Ai duhet të jetë një proces i brendshëm, i ndërtuar mbi vetëdijen se gruaja nuk kërkon mëshirë apo privilegj, por hapësirën që i takon natyrshëm, të drejtën për të qenë aty ku merren vendimet, aty ku krijohet dhe përcaktohet e ardhmja.

Por ky ndryshim nuk është vetëm barrë e shoqërisë- ai është edhe një detyrë e vetë grave. Ato nuk duhet të presin që të tjerët t’ua njohin vendin, por duhet ta kërkojnë dhe ta fitojnë me punë, me përkushtim, me aftësi. Duhet ta imponojnë praninë e tyre jo vetëm te burrat që historikisht kanë dominuar skenën politike dhe profesionale, por edhe te vetë gratë, që shpeshherë, nga frika apo nga ndrojtja, nuk guxojnë të besojnë për potencialin e tyre.

Sepse vetëm atëherë mund të lindë një kuptim i ri- një kuptim ku gruaja nuk është më një përjashtim në tryezat e pushtetit dhe në sallat e vendimmarrjes, por një pjesë e natyrshme e atyre proceseve që formësojnë botën. Vetëm atëherë ajo nuk do të shihet si një zë në prapaskenë, por si një forcë e pashmangshme në politikë, në ekonomi, në shkencë, në çdo fushë ku zgjuarsia, aftësia dhe vizioni janë ato që përcaktojnë vlerën e vërtetë të një individi.

Ky është çasti për të kuptuar se barazia nuk është një koncept i largët, një ëndërr e bukur por e paarritshme. Është një e drejtë që duhet të marrë formë në çdo hapësirë ku vendoset për të tashmen dhe të ardhmen. Dhe kjo e drejtë nuk kërkon leje për të ekzistuar- ajo lind nga vetë guximi i grave për të ecur përpara, për të mos pranuar më një rol të caktuar nga të tjerët, por për ta shkruar vetë rrugën e tyre në histori.

Sigurisht që nuk mund dhe nuk duhet të anashkalojmë arritjet e grave pas luftës së fundit në Kosovë. Secili hap i tyre përpara, secila mundësi e fituar, secili vend që ato kanë zënë në skenën publike është fryt i një beteje të gjatë, të vazhdueshme- një lufte që nuk ishte vetëm për barazi gjinore, por njëherësh edhe për pavarësinë e Kosovës, për lirinë dhe dinjitetin e saj.

Në çdo kohë të trazuar, gruaja nuk ka qenë vetëm një vëzhguese e fatit të kombit të saj. Ajo ka luftuar me armë dhe me mendje, ka qëndruar e patundur në frontet e jetës dhe të vdekjes, ka qenë shërbyese e heshtur dhe heroin e përjetësuar. Lufta e fundit e dëshmoi këtë edhe një herë: gratë ishin aty, mes plumbave dhe shpresave, mes dhembjes dhe guximit, duke dëshmuar se nuk janë vetëm nëna që vajtojnë, por edhe luftëtare që qëndrojnë. Ishin mjeke që shëronin plagët, ishin organizatore që lidhën hallkat e rezistencës, ishin zëra të heshtur që shndërroheshin në ulërimën e një populli që kërkonte liri.

Dhe sot, nëse kemi një Kosovë të lirë, nëse kemi një shoqëri që përpiqet të ecë përpara, kjo është edhe për shkak të grave që nuk u ndalën. Nuk u dorëzuan përballë asnjë pengese, as përballë dhunës, as përballë harresës. Pjesëmarrja e tyre në politikë nuk është një gjest simbolik, por një dëshmi e gjallë se ato janë dhe do të jenë pjesë e vendimmarrjes, jo më si përjashtim, por si një domosdoshmëri.

Ato e kanë treguar se dinë të udhëheqin dhe të vendosin për fatin e vet dhe të vendit të tyre. Nuk ka më dyshime për këtë. Pyetja e vetme që mbetet është: a do të vazhdojë shoqëria t’ua njohë këtë të drejtë, apo do të përpiqet, ashtu si dikur, t’i mbajë në sfond, në heshtje, në margjina? Historia na mëson se gruaja nuk pranon të mbetet në hije. Dhe për këtë, ajo nuk ka nevojë për leje. Ajo është aty, e palëkundur, si vetë themelet e këtij vendi.

Kuota prej 30% e propozuar nga OSBE-ja për përfaqësimin e grave në zgjedhjet lokale dhe kombëtare nuk ishte një numër i rastësishëm. Ishte një përpjekje për të krijuar një barazi më të drejtë, për të ndrequr një padrejtësi historike, për t’i dhënë grave vendin që u takon në vendimmarrje. Por, nëse ky numër mbetet vetëm një statistikë, një formulë e zbrazët pa peshë reale, atëherë edhe vetë përqindja humb kuptimin e saj.

Ç’vlerë ka një shifër nëse gratë nuk janë të pranishme me zë dhe fuqi në organet e vendimmarrjes? Nëse emrat e tyre figurojnë vetëm në listat zgjedhore, por jo në hartimin e politikave? Nëse imazhet e tyre shfaqen në sfondin e tubimeve partiake, por jo në qendër të vendimeve që formësojnë të ardhmen? Përfaqësimi nuk është çështje numrash, është çështje cilësie, është çështje e rolit real që gratë kanë në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë.

Nëse gratë e pranojnë këtë kuotë si një tavan të pakalueshëm, nëse nuk e kërkojnë me zë më të lartë hapësirën që u takon, atëherë 30% mbetet thjesht një shifër e shkruar në letra, pa ndonjë peshë domethënëse. Por nëse ajo përqindje shndërrohet në fuqi të vërtetë, në angazhim të thellë, në një pjesëmarrje aktive dhe të guximshme, atëherë nuk ka pse të mbetet aty. Pse të mos synohet 40%? Pse të mos kërkohet 50%? Sepse, në fund të fundit, gratë përbëjnë jo vetëm gjysmën e popullsisë, por edhe gjysmën e mendjes, gjysmën e dijes, gjysmën e forcës që e shtyn këtë shoqëri përpara.

Dhe kur një komb zgjedh të injorojë gjysmën e potencialit të tij, ai nuk është i plotë. Ai mbetet i mangët, i cunguar, i privuar nga një burim i madh energjie dhe inteligjence. Nuk është utopi të kërkosh më shumë, nuk është megalomani të kërkosh përfaqësim të drejtë. Është thjesht logjikë e pastër- logjika e një bote që nuk mund të ecë përpara me vetëm gjysmën e saj.

Nga gjithë sa u tha, mund të nxjerrim një përfundim të qartë: në letër, partitë politike dinë të jenë bujare me numrat. Listat e tyre, të zbukuruara me emrat e grave, duken premtuese, gati si një dëshmi e barazisë që shoqëria ende nuk e ka arritur plotësisht. Por përtej fasadës, realiteti mbetet i njëjtë: angazhimi i grave në fushatat zgjedhore është simbolik, një prani e heshtur, një figurë që shpeshherë mbetet në sfond, larg dritës së vërtetë të garës.

No description available.

Por a mjafton kjo? A mund të kënaqemi me statistika të thata, me listime formale, me një prani që është më shumë një miratim i heshtur i rregullave sesa një fuqi e vërtetë në veprim? Jo, sepse për të sjellë ndryshimin e nevojshëm, nuk mjafton që gratë të jenë të përfshira vetëm si numra në lista. Ato duhet të jenë të vetëdijshme për rolin e tyre, të guximshme në praninë e tyre dhe të padiskutueshme në forcën e tyre për të ndryshuar rrjedhën e politikës dhe vendimmarrjes.

Nëse gratë zënë vendin e tyre të merituar në institucionet e Kosovës, kjo nuk do të jetë vetëm një fitore për to, por një fitore për të gjithë shoqërinë. Do të sillte shumëllojshmëri zgjedhjesh, do të krijonte një ekuilibër më të drejtë në qeverisje, do të ndërtonte një politikë më të natyrshme, më të ndjeshme, më të hapur ndaj nevojave të qytetarëve. Sepse aty ku ka diversitet, ka më shumë mundësi për një qeverisje të drejtë. Aty ku ka përfaqësim të barabartë, ka më shumë demokraci.

Ndaj, sfida nuk është vetëm të kemi më shumë gra në lista, por të kemi më shumë gra në vendime. Jo vetëm si simbolikë, por si fuqi e gjallë dhe aktive, si faktorë të pashmangshëm në rrjedhën e ngjarjeve, si arkitekte të së ardhmes së këtij vendi. Dhe kjo nuk është një ëndërr- kjo është një domosdoshmëri, një rrugë që duhet ndjekur pa mëdyshje, nëse duam një shoqëri që nuk ecën me njërën këmbë të lidhur, por me të dyja të forta, të sigurta, të pavarura.

Disa vite më parë, në një anketë të kryer në 22 vende të botës nga Instituti Amerikan i Paqes, njerëzve u ishte bërë një pyetje që mbart në vete një peshë të madhe: A do të ishte bota një vend më i mirë, nëse do ta drejtonin gratë?

Dhe përgjigja e shumicës, në 21 nga këto vende, ishte një pohim i qartë: Po, do të ishte më e mirë. Një “po” që nuk ishte vetëm një miratim i thjeshtë, por një dëshmi se njerëzimi e ndien mungesën e një balance të drejtë në udhëheqje. Një “po” që lind nga vetëdija se bota, ashtu siç është udhëhequr historikisht, ka njohur shumë luftëra, shumë padrejtësi, shumë vendime të ndikuara nga egoja dhe ambicia, por më pak nga ndjeshmëria, kujdesi dhe mençuria afatgjatë.

Nuk është çështje e një superioriteti gjinor, nuk është as çështje e një përmbysjeje të hierarkive. Është çështje e një ekuilibri të munguar, një boshllëku që vetëm gratë mund ta plotësojnë me qasjen e tyre më të menduar, më të kujdesshme dhe më gjithëpërfshirëse ndaj jetës dhe politikës. Sepse gruaja, në thelb, e ka ndërtuar dhe e ka mbrojtur botën që nga zanafilla- ajo ka lindur jetë, ka edukuar breza, ka ndërtuar ura mes gjeneratave, ka qenë busull në kohë të vështira, ka mbajtur mbi supe peshën e heshtur të sakrificës.

Prandaj, nuk është e habitshme që njerëzit e 21 vendeve të ndryshme, burra e gra, të jenë pajtuar me idenë se një botë e udhëhequr nga gratë do të ishte më e mirë. Sepse bota ka nevojë për më shumë harmoni, për më shumë empati, për më shumë zgjuarsi që shikon përtej momentit dhe ndërton me kujdes të ardhmen.

Dhe ndoshta, më shumë se një hipotezë teorike, kjo pyetje është një thirrje për të reflektuar: Nëse shumica beson se bota do të ishte më e mirë me më shumë gra në udhëheqje, pse ende nuk është kështu? Çfarë e ndal këtë ndryshim të nevojshëm? Dhe sa do të zgjasë ky hezitim për të pranuar një të vërtetë kaq të thjeshtë?

Mund të thuhet me bindje se gratë, në politikë dhe qeverisje, sjellin një qasje më fisnike, më të ndjeshme dhe më të përkushtuar ndaj çështjeve që prekin drejtpërdrejt jetën e njerëzve. Politikat që ato do të ndiqnin nuk do të mbështeteshin mbi ambicie të thata pushteti, por mbi vizionin për një shoqëri më të drejtë, më humane, më të kujdesshme ndaj atyre që shpesh mbeten në margjinat e vëmendjes.

Ato nuk e shohin qeverisjen si një arenë force, por si një mundësi për të ndërtuar një sistem ku shëndeti publik të mos jetë privilegj, por e drejtë universale; ku arsimi të mos jetë vetëm një rrugë për disa, por një urë që lidh të gjithë drejt mundësive të barabarta; ku familja të jetë një bërthamë e fortë, e mbrojtur dhe e mbështetur nga politikat shtetërore, dhe ku të moshuarit të mos mbeten të harruar, por të vlerësuar për kontributin e tyre.

Gratë janë më të lidhura me realitetin e përditshëm, me sfidat e jetës, me dhimbjet dhe shpresat e një shoqërie që kërkon një të ardhme më të mirë. Për to, qeverisja nuk është vetëm rregullore dhe vendime të thata, por një mënyrë për të përmirësuar mirëqenien, për të krijuar kushte më të drejta për fëmijët, për të ndihmuar ata që kanë më pak, për të ndërtuar një botë më të ndershme dhe më të ndjeshme.

Luftërat dhe padrejtësitë i tmerrojnë gratë më shumë se këdo tjetër. Ato i ndiejnë plagët e shoqërisë në mënyrë më të thellë, sepse janë ato që shpesh mbajnë mbi supe barrën më të rëndë të pasojave. Ato e dinë se dhimbja e një kombi nuk është vetëm një statistikë politike, por një realitet që shkatërron familje, copëton shpresa dhe lë plagë që nuk shërohen lehtë.

Prandaj, nëse gratë do të kishin më shumë hapësirë në politikë dhe vendimmarrje, do të kishim më pak luftë dhe më shumë paqe, më pak padrejtësi dhe më shumë barazi, më pak etje për pushtet dhe më shumë përkushtim për mirëqenien e njerëzve. Sepse bota e drejtuar nga gratë nuk do të ishte një botë e dominimit, por një botë e ndërtimit. Një botë ku drejtësia nuk do të ishte vetëm një fjalë e shkruar në ligje, por një realitet i ndjerë në zemrat e të gjithëve.

Rastet e injorimit dhe të minimizimit të rolit të grave në fushatat zgjedhore nuk janë një dukuri e rrallë. Ato nuk ndodhin vetëm në shoqëri të pazhvilluara, as në vende që ende luftojnë për demokracinë. Edhe në botën moderne, edhe atje ku parimet e barazisë janë të shkruara me shkronja të mëdha në kushtetuta dhe ligje, gratë shpesh mbeten në hijen e një sistemi që ende nuk i njeh plotësisht si pjesë të barabartë të tij.

Le të ndalemi për një moment në faktet, në statistikat që dëshmojnë këtë padrejtësi të heshtur. Në vitin 1999, vetëm 3% e punëve në kabinetet ministrore të botës ishin të drejtuara nga gra. Një shifër gati e padukshme, që reflektonte një realitet të hidhur: politika dhe vendimmarrja ishin ende, kryesisht, një botë e burrave.

Edhe në strukturat që, me fjalë, promovojnë barazinë, gratë mbeteshin në skajet e pushtetit. Më pak se 5% e pozitave më të larta në organizatat ndërkombëtare- duke përfshirë Kombet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian- ishin të mbajtura nga grat. Në një botë ku vendimet për paqen, zhvillimin dhe drejtësinë globale pretendohej se merreshin në emër të të gjithë njerëzimit, gjysma e tij- gjysma që përbëhej nga gratë- kishte zërin pothuajse të shuar.

Dhe nëse kthejmë vështrimin pak më prapa, në vitin 1991, vetëm 7% e kryeministrave të shteteve në botë ishin gra. Një numër i vogël, një statistikë që gati dukej si një përjashtim nga rregulli i pashkruar i një bote të dominuar nga burrat. Një përqindje që tregonte jo mungesën e aftësisë, por mungesën e mundësive, jo mungesën e dëshirës, por pengesat që shoqëria vazhdonte të vendoste përballë grave që guxonin të synonin më shumë.

Por a janë vetëm numra këto? Jo. Janë pasqyrë e një historie ku gratë kanë luftuar për të fituar hapësirat e tyre, jo si lëshim, por si një të drejtë të mohuar. Janë dëshmi e një realiteti që ende nuk është çliruar plotësisht nga zinxhirët e pabarazisë. Dhe më e rëndësishmja, janë një thirrje për të kuptuar se barazia nuk është diçka që arrihet me deklarata, por me veprim.

E ardhmja nuk duhet të jetë një përsëritje e këtyre statistikave të hidhura. E ardhmja duhet të jetë ndryshe, jo vetëm me më shumë gra në poste të larta, por me më shumë gra që kanë fuqinë për të ndryshuar botën. Jo si një simbol i barazisë, por si arkitekte të saj.

Në rrathët më të lartë të pushtetit, atje ku merren vendimet që përcaktojnë fatet e shteteve dhe të popujve, zëri i gruas ka qenë gjithmonë një zë i rrallë, një jehonë e dobët në një botë ku vendimmarrja ka qenë për shekuj me radhë një privilegj i burrave. Përfaqësimi i grave në nivelet më të larta shtetërore ka qenë dhe mbetet ende nën 10%- një shifër që flet më shumë sesa çdo fjalim për barazinë.

Edhe kur gratë arrijnë të depërtojnë në këto hapësira të ngushta të pushtetit, ato nuk i gjejnë krahët e hapur. Rrallëherë u besohet udhëheqja e ministrive që përcaktojnë politikat e jashtme, financat, mbrojtjen apo sigurinë kombëtare. Rrallëherë u jepet pushteti i vërtetë, ai që formëson ekonomitë, që

vendos për luftën dhe paqen, që harton strategjitë afatgjata të një vendi.

Në vend të kësaj, ato drejtohen drejt resorëve të cilësuar si “më të butë”, si arsimi, shëndetësia, mirëqenia sociale- ministri që trajtohen si “resorë të grave”, sikur aftësitë dhe vizioni i tyre të kufizoheshin vetëm në këto fusha. Dhe ndonëse këto sektorë janë jetikë për shoqërinë, fakti që gratë sistematikisht drejtohen vetëm në këto pozita tregon një pabarazi të fshehur nën petkun e një barazie të rreme.

Sepse barazia nuk është vetëm prania në institucione- ajo është liria për të zgjedhur, për të udhëhequr në të gjitha fushat e jetës, për të qenë vendimmarrëse në çështjet që kanë të bëjnë me fuqinë dhe jo vetëm me kujdesin. Një shoqëri e drejtë nuk e ndan pushtetin sipas gjinive, nuk krijon kufij të padukshëm për gratë, nuk i lejon të hyjnë në sistem vetëm për t’i izoluar në qoshe të përcaktuara.

Ndaj, pyetja që lind nuk është vetëm pse gratë janë kaq pak në nivelet më të larta të pushtetit, por edhe pse, edhe kur janë aty, u caktohen role të kufizuara? A mund të quhet barazi një sistem që e pranon gruan vetëm në sektorët që konsiderohen tradicionalisht të përshtatshëm për të? Dhe mbi të gjitha, a mund të quhet një shoqëri vërtet demokratike, nëse gjysma e saj vazhdon të mbahet larg vendimeve që përcaktojnë të ardhmen?

Historia e ka treguar se gratë, kur u jepet mundësia, mund të udhëheqin me mençuri, me vizion dhe me guxim. Nuk ka një “politikë të burrave” dhe një “politikë të grave”- ka vetëm qeverisje të mirë dhe të keqe, dhe bota ka nevojë për më shumë nga e para. Dhe kjo nuk do të ndodhë derisa gratë të mos jenë më thjesht një përqindje në statistika, por një forcë e pashmangshme në çdo tryezë vendimmarrjeje. Pozicioni i gruas në politikë dhe qeverisje, sidomos në Kosovë, por edhe në shumë vende të tjera, nuk është thjesht një çështje përfaqësimi. Ajo është pasqyrë e gjallë e një mentaliteti të rrënjosur thellë, reflektim i kushteve të jetës dhe i strukturave shoqërore që shpesh nuk i hapin dyert, por i lënë të mbyllura. Më shumë se një betejë për kuota dhe shifra, prania e gruas në vendimmarrje është një çështje themelore e zhvillimit të shoqërisë, një tregues i progresit apo stagnimit të saj.

Nëse gruaja ende qëndron në periferi të pushtetit, nuk është sepse i mungon aftësia apo vullneti për të qenë aty. Përkundrazi, pengesat nuk burojnë nga mungesa e potencialit, por nga mungesa e kushteve që do t’ia mundësonin këtë avancim. Ajo që duket si një problem i pranisë së saj në politikë, në të vërtetë, është një problem më i madh dhe më i thellë- problem i krijimit të mundësive, i ndërtimit të një mjedisi ku gratë nuk duhet të luftojnë për të marrë një vend në tryezën e vendimmarrjes, por ta kenë atë si një të drejtë të natyrshme.

Sepse në fund të fundit, një shoqëri nuk matet vetëm me ligjet dhe normat që pretendon se zbaton, por me realitetin e saj të përditshëm. E derisa në këtë realitet gruaja ende shihet si një përjashtim në pushtet dhe jo si pjesë natyrale e tij, atëherë rruga drejt barazisë mbetet ende e gjatë. Dhe kjo rrugë nuk është vetëm sfidë e grave- është një sfidë e gjithë shoqërisë, sepse aty ku mungon barazia, mungon edhe drejtësia, dhe aty ku mungon drejtësia, asnjë progres nuk është i vërtetë.

Ndaj, nuk mjafton të diskutojmë për përfaqësimin e grave si një objektiv politik. Duhet të krijojmë kushtet ku përparimi i tyre të mos jetë një përjashtim, por një proces i natyrshëm, i pashmangshëm. Një shoqëri e zhvilluar nuk është ajo që thjesht lejon gratë të marrin pjesë në vendimmarrje- është ajo që nuk mund ta imagjinojë qeverisjen pa to.

Duhet të jemi të vetëdijshme, madje edhe vetëkritike, sepse rruga drejt barazisë dhe përfaqësimit të denjë nuk është e lehtë dhe nuk mund të na dhurohet. Së pari, duhet të kemi guximin të përballemi me realitetin ashtu siç është- pa iluzione, pa shmangie. Duhet të punojmë më shumë, por mbi të gjitha, duhet të punojmë ndryshe, duke u mbështetur në vlerat tona më të thella kombëtare, morale dhe profesionale. Jo për të përsëritur një model të vjetër të pushtetit, por për ta ndryshuar atë, për të ndikuar në shndërrimin e një mentaliteti të ngurtë në një mendësi të re, demokratike, gjithëpërfshirëse, të ndërtuar mbi drejtësinë dhe mundësitë e barabarta.

Por asnjë ndryshim nuk vjen pa angazhim të vetë grave. Nuk mund të presim që hapësira të na jepet- ajo duhet të fitohet, me punë, me vizion, me një përpjekje të palodhshme për të qenë aty ku merren vendimet, për të mos u kufizuar në periferi, por për të qenë në qendër të proceseve që formësojnë shoqërinë. Nuk mjafton të kërkojmë përfaqësim, nëse nuk jemi të gatshme të investojmë në veten tonë, dijen tonë, përkushtimin dhe energjinë tonë në këtë segment jetësor. Sepse në fund të fundit, asnjë shoqëri nuk bëhet më e drejtë, më e barabartë, më e mençur pa praninë e grave në vendimmarrje.

Dhe nëse ka diçka që historia na ka treguar, është kjo: asnjë burrë nuk e ka ndërtuar i vetëm një botë më të mirë. Burrat bëjnë veprat, thoshte Sokrati, por gratë janë ato që i bëjnë burrat. Ato janë edukatoret e së ardhmes, udhërrëfyese të brezave që do të vijnë. Prandaj, përfshirja e grave në politikë dhe vendimmarrje nuk është vetëm një e drejtë- është një domosdoshmëri për një shoqëri që synon të ecë përpara. Dhe nuk duhet të jetë një betejë vetëm për ne, por për ata që do të vijnë pas nesh, për gjeneratat që do të trashëgojnë jo vetëm sfidat tona, por edhe arritjet që do të guxojmë të ndërtojmë.

(Autorja është ish-deputete e Kuvendit të Kosovës)                           

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prof. Dr. Fejzulla BERISHA Republika e Kosovës është rezultat i…