
Gratë e fshatit Krushë e Madhe, të mërkurën takohen me kryetaren e bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi
Fahrije Hoti, zonja nga fshati Krushë e Madhe, që mbeti e ve bashkë me rreth 200 gra të tjera të fshatit si pasojë e luftës së fundit në vend, janë pronare të objektit të ri për Kooperativën “Krusha” të cilën ajo e themeloi vite më parë në përpjekje për të rritur dy fëmijët e saj.
Aktualisht në kooperativën “Krusha” punojnë 60 gra të tjera të fshatit, të cilat ndajnë fatin e njëjtë me zonjën Fahrije.
Ndërtimi i objektit është financuar 70 përqind nga Bashkimi Evropian dhe 30 për qind nga kontribuues vullnetar të disa bizneseve vendore, të koordinuara nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë.
Historia e zonjës Fahrije e realizuar përmes një filmi të metrazhi të gjatë nën titullin “Zgjoi”, së fundmi u bë fituese e tri çmimeve në një prej festivaleve më prestigjioze Sundance në Amerikë.
Gratë e Kooperativës Bujqësorë “Krusha”, të udhëhequra nga znj. Fahrije Hoti, janë në dijeni dhe vlerësojnë përpjekjet e kryetares së bashkisë së Roskovecit Znj. Majlinda Bufi për zhvillimin e bujqësisë dhe mbështetjen e grave ne këtë sektor.
Me ketë rast, ato dëshirojnë te realizojnë një vizite në Bashkinë e Roskovecit për të ndarë përvojat e tyre, për të mësuar më shume rreth praktikave të suksesshme dhe për të diskutuar mundësitë e një bashkëpunimi të mëtejshëm.
“Jemi te bindura se një takim i tillë do te ishte i dobishëm për të dyja palët dhe do të ndihmonte në forcimin e lidhjeve mes nesh”- shprehet Fahrije Hoti.
Kryetarja e bashkisë së Roskovecit zonja Majlinda Bufi është entuziaste që këto zonja jo vetëm e duan bujqësinë, por janë një dëshmi se me forcë e të palëkundura nga vështirësitë e jetës, ja kanë dalë mbanë. Takimi do të zhvillohet në zyrën e kryetares Bufi, ku ato do të njihen me njëra tjetrën, por edhe me bujqësinë që ky qytet ofron për blegtorët dhe fermerët.