Gratë e ISIS, bashkimi dhe zhgënjimi nga Kalifati
Qeveria britanike u përball me kritika të mëdha kur vendosi t`i hiqte nënshtetësinë një të reje londineze, e cila i ishte bashkuar Shtetit Islamik në Siri.
Shamima Begum-it sapo i kishte vdekur fëmija në kamp. Vajza, që tani thotë se urren Isis-n, lutet që të kthehet në shtëpi. Ajo ka pasur dhe dy fëmijë të tjerë, të cilët fatkeqësisht, e kanë humbur gjithashtu jetën, çka dëshmon qartë se në çfarë kushtesh të tmerrshme kanë jetuar.
Begum, sot 19 vjece, u largua nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 2015, së bashku me dy vajza të tjera, Amira Abase dhe Kadiza Sultana.
Por nënshtetësia iu hoq vetëm asaj. Përse? Arsyeja gjendet tek indinjata që kjo vajzë shkaktoi gjatë një interviste për gazetën Times , ku nuk shfaqi asnjë lloj ndjeshmërie nga mizoritë e kryera prej anëtarëve të grupit gjatë kohës që ishte me ta.
“Kur pashë kokën e parë të prerë të hedhur në një kosh, nuk më ra të fikët. Ajo I përkiste një luftëtari të kapur në betejë, një armiku të Islamit. Mendova vetëm për atë që do t`I kishte bërë ai një gruaje myslimane, po të kishte pasur rastin”, tregon Shamima.
Vetëm disa ditë pas asaj interviste, ish ministri i brendshëm britanik Sajid Javid ia hoq nënshtetësinë britanike, një vendim ky që do të ishte më se i ligjshëm po të mos e linte Begum-in pa shtetësi. Asokohe u tha se adoleshentja, prindërit e të cilës janë nga Bangladeshi, mund të kishte dhe nënshtetësinë e atij vendi. Por ministri për çështjet shtetërore dhe ato të jashtme në Bangladesh, Shahriar Alam i hodhi poshtë si të rreme ato raporte e paralajmëroi se Shamima Begum nuk do të lejohet të hyjë në vendin e tij.
“Qeveria e Bangladeshit është thellësisht e shqetësuar nga fakti që Begum është identifikuar gabimisht si mbajtëse e nënshtetësisë së dyfishtë. Ajo nuk është qytetare e Bangladeshit. Është që nga lindja qytetare britanike, kurrë nuk ka aplikuar për shtetësi të dyfishtë me Bangladeshin … Nuk ka absolutisht dyshime se ajo nuk do të lejohet asnjëherë që të shkelë këtu”, thotë Shahriar Alam.
Avokati i saj argumenton se Begum gjendet sot në një pozitë “tejet të brishtë dhe mjaft të rrezikshme“ në kampin sirian ku po strehohet. Sipas tij, Shamima ka ngecur në një situatë pa kthim: Në Angli nuk kthehet dot, Bangladeshi nuk e pranon, dhe nëse tenton të hyjë atje fshehurazi, rrezikon ndëshkimin me varje. Familjarët e saj këmbëngulin se nuk është e drejtë që Shamima të gjendet në këtë situatë, kur shtetas të tjerë britanikë që kanë qenë në territorin e Isis-it, janë lejuar të kthehen.
“Vendimi i sekretarit të brendshëm do të thotë se jeta e Shamima-s është në rrezik; ai e lë atë që të vuajë një trajtim degradues në kampin e refugjatëve sirianë ku ndodhet, e ku përballet me kërcënime nga ekstremistët e Isis-t”, thotë nëna e Shamemas.
Javid u shfaq i palëkundur në vendimin e tij. Për ish ministrin, shtetasit britanikë që mbështesin terrorin, duhet të përballen me pasojat, e një prej tyre, ishtë edhe heqja e pasaportës.
“Tani që ky i ashtuquajturi kalifat po thërrmohet, disa prej shtetasve britanikë që iu bashkuan Isis-it, dëshirojnë të kthehen. Dhe unë kam qenë shumë i qartë, zoti kryetar I kuvendit: aty ku mundem, dhe aty ku shoh se kërcënimi ekziston, nuk do të hezitoj që ta parandaloj. Pozicioni që kam më lejon t`ua ndaloj jo-britanikëve hyrjen në këtë vend dhe heqjen e nënshtetësisë për personat e rrezishëm me dyshtetësi. Sigurisht që ne duhet të respektojmë ligjin ndërkombëtar dhe nuk mund ta bëjmë këtë nëse do ta linim dikë pa shtetësi. Ndaj atje ku individët arrijnë të kthehen, ata do të merren në pyetje, do të hetohen e do të ndiqen penalisht”, tha Sajid Javid, ish sekretar i Brendshëm Britanik.
Por nëse të afërmit e 20 vjeçares shpresonin së sekretarja e re e punëve të brendshme, Priti Patel do të vinte dorën në zemër për vajzën e tyre, e kishin gabim. Patel përforcoi edhe më shumë qëndrimin e paraardhësit, çka u pa qartë tek deklarata që bëri për the Sun muajin e kaluar.
“Detyra jonë është ta mbajmë vendin tonë të sigurtë. Nuk kemi sesi t`i lejojmë hyrjen njerëzve që mund të na dëmtojnë, e këtu përfshihet dhe kjo grua. Unë cdo gjë e shoh në termat e sigurisë dhe të inteligjencës; thjesht nuk jam e gatshme të lejoj në këtë vend dikë që ka qenë mbështetës aktiv I Isis-it”, tha Priti Patel.
Por si arritën këto tre vajza, të “shkëlqyera” britanike myslimane siç i përshkruan “The Guardian”, t`i bashkoheshin Shtetit Islamik? Të afërmit e tyre i përshkruanin si adoleshente mëse normale. Motra e Shamimës pat rrëfyer se asaj I pëlqenin librat, lodrat e ndiqte dhe reality show-t.
“Bënte gjërat normale të çdo adoleshenteje të zakonshme. Ndiqte “ Keeping up with the Kardashian`s“, I pëlqente ai show, dhe gjëra të tilla; asnjë shenjë radikalizimi nuk pamë; në shtëpi jo një herë. Ne nuk është se nuk e kontrollonim;e shihnim çfarë bënte kur rrinte në telefon, siguroheshim që të lexonte sa më shumë, e asaj, i pëlqenin librat, bashkoheshim në lojëra me të. Kemi qenë aq pranë saj sa kemi mundur. Por përderisa ndodhi kjo që ndodhi, padyshim, diçka do të na ketë shpëtuar”, tregon motra e Sahima Begum, motra e Shamima-s.
Po kaq të befasuar ishin dhe të afërmit e Amira Abase-s.
“Unë e njoh vajzën time. Është shumë e vështirë ta thuash përse u largua nga vendi. Prandaj edhe ne jemi në këtë gjendje sot. Përse, është pyetja e madhe që na mundon të gjithëve. Megjithatë, pavarësisht telasheve që këto vajza i hapën vetes dhe njerëzve që lanë pas, ata që në atë moment u lutën për kthimin e tyre. Më tha se do të shkonte në një dasëm. Nuk kishte asgjë të pazakontë në sjelljen e saj. Asnjë shenjë që të shfaqej ndryshe nga ditët e tjera. Më tha vetëm se e kishte me nxitim dhe u largua. Mesazhi im për Amirën është: të lutem ktheu, na mungon shumë”,tregon Hussen Abase, babai i Amira Abase.
Tre nxënëset e gjimnazit Bethnal Green thjesht u zhdukën në rrugët e lindjes së Londrës në fillim të vitit 2015; në vend që të ktheheshin në shtëpi për darkë, ato morën avionin për në Stamboll. Në shkollë kishin qenë një model i vajzave myslimane britanike: studionin, tregonin respekt për të tjerët dhe ecnin me mjaft kujdes në vijë delikate mes mjediseve konservatore të shtëpisë dhe Londrës moderne liberale. Por duket nuk ishte e vështirë që këto vajza të binin pre e “gjahtarëve” të sofistikuar te Shtetit Islamik e të ktheheshin në “nuse të xhihadit”.
Vetëm 10 dite pasi mbërriti në atë që ishte asokohe fortesa e Isis-it, Raqqa, Shamima u martua me Yago Riedijk, një holandez i konvertuar në islam e i kthyer në luftëtar të Isis-it. Tre fëmijët që pati me të vdiqën nga kequshqyerja dhe sëmundjet 19 vjeçarja, familja se e cilës ka ngritur zyrtarisht padi ndaj Home Office, pretendon tani se ka qenë viktimë e të shoqit xhihadist, dhe se është përdhunuar prej tij.
Ai nga ana tjetër, në një intervistë që pat dhënë për The Times në muajin shkurt, e përshkruante Shamimën, si “bashkëshorten perfekte, ndërsa vdekjen e fëmijëve të tyre, si një makth“. Lutjet e saj sot, nuk I bindin të gjithë.
“Begum shpreh pendesë tani sepse kërkon të kthehet në Britani. Por ajo e dinte shumë mirë së çfarë po bënte. Ishte plotësisht e angazhuar ndaj grupit dhe vrasjeve të kryera prej tij. Ishte 15 vjeç kur iku, dhe jetonte ne Lindje të Londrës. Ka qenë mëse e vetëdijshme për veprimet e veta”, tregon Chris Phillips, eksperti I anti –terrorit.
Përpara se të zhvendosej në kampin al Roj, Shamima qëndroi për një kohë në Al Hawl, kampi ku mbahen gra e fëmijë të luftëtarëve të Shtetit islamik e ku gazetarët e emisionit investigative italian “Le Iene” zbuluan 11-vjecarin shqiptar Alvin Berisha, të cilin e ëma e mori me vete në Siri kur ishte 6 vjec dhe I ati e kërkoi pareshtur, por tani që e gjeti, drama e tij bëhet dhe më e thellë nga fakti që nuk po e tërheq dot.
Gazetarja e CBS, Holly Williams arriti të hynte në këtë kampin ku jetojnë 10 mijë të huaj. Burrat janë shumica të vdekur ose në burg. Holly zbuloi se atje ka ende gra që besojnë në ideologjinë e grupit të dhunshëm xhihadist, dhe I mbrojnë sulmet e tyre terroriste.
“Sy për sy, dhëmb për dhëmb, kjo është motoja e Isis-it”,thotë një grua.
Në një video propagande madje një pjesë e tyre e përshkruajnë veten si “ minë me sahat“. “Vetëm prisni, e do ta shihni, thonë ato“.
Në një video tjetër të transmetuar nga CBS shihen disa fëmijë të vegjëkl, thellësisht të indoktrinuar që thërrasin se do t`ia shtypin kokën jobesimtarëve.
Por ka dhe shumë gra të tjera në këtë kamp, viktima të rrethanave apo dhe një vendimi të gabuar, të cilat kërkojnë të kthehen në shtëpi, sepse nuk I përkasin atij vendi apo atij mentaliteti të dhunshëm. Holly foli me dy prej tyre, njëra shtetase franceze, tjetra belge, që duan dëshpërimisht të shkojnë në shtëpi. Ndjekëset e ashpra të vijës së ashpër të Isis-it kanë kërcënuar t`I djegin tendat gjatë natës, vetëm sepse mendojnë ndryshe.
Prillin e këtij viti, 110 qytetarë të Kosovës, të cilët ishin në zonat e konfliktit në Siri u kthyen në vendlindje. Bëhej fjalë për gra dhe fëmijë të luftëtarëve shqiptarë të përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme përkrah ISIS-it. Ministri i Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, pat pohuar atëherë se të kthyerit kishin qenë viktima të mashtrimit dhe keqtrajtimit.
“Këta qytetarë, gra dhe fëmijë kanë qenë viktima të papërgjegjësisë së personave, që për interesa çfarëdo qofshin i kanë shfrytëzuar duke ua mohuar të ardhmen pa vullnetin e tyre e duke i lënë më pasoja të mëdha, në raste të caktuara edhe viktima. Këto gra meritojnë rehabilitim për një jetë të qetë dhe këta fëmijë nëpër zona të konfliktit e kanë vendin në shkolla për t’u edukuar për të ardhmen e tyre”, shprehet Abelard Tahiri për DW.
45 llogaritet të jetë numri I luftëtarëve të kthyer në Shqipëri, ndërsa totali I shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia e Veriut që shkuan për të luftuar në Siri dhe Irak, shkon në 670. Ekspertë si Adrian Shtuni kanë tërhequr vëmendjen se rrezikshmëri nuk paraqesin vetëm burrat por edhe gratë një pjesë e të cilave janë larguar duke marrë edhe fëmijët pa aprovimin e familjarëve. Ka plot të mitur të pafajshëm të mbyllur në ato kampe. Luhatja që buron nga potenciali I rrezikut nuk I pengoi zyrtarët britanikë të hedhin këto ditë hapat e parë drejt riatdhesimit të fëmijëve të mbetur në Siri, përmes lidhjes direkte me agjensitë që veprojnë në terren, përfshirë komitetin e kryqit të kuq ndërkombëtar, të cilave u kërkohet të identifikojnë fëmijët e pashoqëruar për një kalim të sigurtë në rrugën e kthimit në Mbretërinë e Madhe. Belgjika dhe vende të tjera europiane po përgatiten gjithashtu të riatdhësojnë qytetarë të tyre të gjendur në veri lindje të Sirisë.
“The Guardian” citon zyrtarë britanikë të pohojnë se administrate kurde që kontrollon këto kampe është treguar “jashtëzakonisht mbështetëse“ për lëvizje te tilla, përsa kohë ato negociohen me zyrtarë të qeverisë angleze. Franca sakaq, ka pranuar kthimin e një pjese të fëmijëve, por refuzon kategorikisht nenat. Mendohet se vetëm një pjesë e rreth 4.700 grave të huaja që iu bashkuan Shtetit Islamik, e ka bërë këtë për arsye ideologjike. Te tjerat janë tërhequr prej atij që përshkruhet si “optimizëm romantik”, apo kanë ndjekur bashkëshortët.
Që në fillesat e grupit, arsyet që kanë shtyre drejt tij gra e vajza nuk kanë ndryshuar shumë prej atyre që nxitën dhe mjaft meshkuj të huaj t’i bashkoheshin organizatës që u kthye në një kërcënim terrorist global: ndenja e përkatësisë, pabarazia, aventura dhe tërheqja prej një kauze gjoja fisnike.
Mjaft prej rekrutimeve sidomos ne mesin e vajzave adoleshente në perëndim u bënë online; sot megjithatë, pavarësisht arsyeve që i shtynë drejt Sirisë e Irakut, shumë prej grave të penduara të Isis-it po paguajnë çmimin e lartë të zgjedhjeve që kanë bërë, e që ndonjë rast, i kanë bërë të tjerët për ato./shqip