Gravina zbulon se kur rifillon Seria A
Shifra e të vdekurve nga koronavirusi në Itali vijon të mbetet shqetësuese, por numri i të prekurve të rinj po bie ndjeshëm dhe nga dita në ditë po rritet optimizmi për rikthimin e shpejtë në normalitet, kryesisht pas datës 3 maj, kur pritet të skadojnë edhe masat e jashtëzakonshme të imponuara nga qeveria.
Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina deklaroi sot se është optimist që kampionati do të rifillojë rreth fundit të muajit maj dhe fillimit të muajit qershor, për të vijuar me një kalendar të ngjeshur deri në mbyllje të sezonit.
“Jam optimist se do të nisim stërvitjen më datën 4 maj, sipas protokolleve të mirëpërcaktuara dhe në izolim të plotë. Kështu do të vazhdojmë për një periudhë 3-javore, që është e mjaftueshme për të konfirmuar negativitetin ndaj virusit të të gjithë lojtarëve, por njëkohësisht edhe që këta të fundit të gjejnë formën e duhur sportive. Ndaj besoj se në fund të muajit maj ose në fillim të qershorit, do të jemi gati të rifillojmë”, ka thënë Gravina.