![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/Greca-Caka.jpg)
Greca Caka reagon ndaj sulmeve të VV: Nuk kam interes për poste politike, mbetem e përkushtuar ndaj ligjit
Ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Greca Caka ka dalë me një reagim pas sulmeve e linçimit që ka marrë nga eksponentë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Duke marrë parasysh se nuk është hera e parë që merr sulme të tilla nga pushteti, Caka në një reagim në rrjetin social Facebook ka thënë se nuk ka folur më parë rreth kësaj, pasi kjo mënyrë e komunikimit nuk meriton të marrë përgjigje.
Ajo tutje ka përmendur bisedën ku u përmend emri i saj për një pozitë në një qeveri të re të mundshme, duke thënë se kjo nisi një fushatë kundër saj.
“Nuk kam reaguar asnjëherë ndaj sulmeve, shpifjeve dhe linçimit që fatkeqësisht e karakterizojnë diskursin tonë publik. Vlerësoj që një nivel dhe mënyrë e tillë e padenjë e komunikimit, nuk meriton të legjitimohet me përgjigje.
Përjashtimisht dhe marrë parasysh që një bisedë në të cilën është përmendur edhe emri im, pa dijeninë dhe rrjedhimisht, pa miratimin tim, ka mjaftuar për të filluar një fushatë agresive dezinformatash bazuar në kauza të motivuara politikisht, përfshirë kundër institucioneve të Republikës, konsideroj që është i nevojshëm një sqarim i shkurtër dhe i prerë” – ka shkruar Caka.
Ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese e ka bërë të qartë se nuk ka diskutuar me asnjë person apo parti politike për poste publike e politike, dhe nuk ka interesim për nëj gjë të tillë.
“Nuk kam diskutuar me asnjë person e as parti politike rreth asnjë funksioni publik e politik, si dhe nuk kam asnjë interesim për diskutime të tilla. Do të mbetem gjithnjë krenare që i kam shërbyer një institucioni me kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe vlerave të demokracisë në Republikën e Kosovës. Ndërsa, ashtu siç jam deklaruar gjithnjë, brenda fushëveprimit të profesionit tim, do të vazhdoj të punoj me përkushtim për forcimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Kosovës, duke e mbrojtur edhe integritetin e funksionit që kam ushtruar në Gjykatën Kushtetuese” – ka thënë ajo.
Në fund, Caka ka paralajmëruar:
“Të gjitha çështjet tjera, do t’i adresoj përmes mekanizmave ligjorë”.