Greenberg: Ndaj Polonisë mund të bëjmë gjera të mira
Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka hyrë në ditën e dytë të grumbullimit në Torun të Polonisë, ndërsa pas stërvitjes së tretë përzgjedhësi i Kosovës, Brad Greenberg, ka thënë se është i emocionuar që do të përballet me Poloninë, por ka shfaqur besim të plotë se basketbollistët e Kosovës do të kenë një paraqitje të mirë.
“Deri më tani i kemi zhvilluar tri stërvitje dhe jam i kënaqur me punën që e kanë bërë basketbollistët. Është shumë mirë që i kemi që të gjithë këtu, posaçërisht që tani e kemi në dispozicion edhe Shawn Jonesin dhe që është rikthyer Erjon Kastrati. Jemi të emocionuar. Ky është një shans i mirë për të luajtur në Poloni, pasi kemi dëgjuar se këtu atmosfera është shumë e mirë. Po ashtu, Polonia ka një skuadër shumë të fortë, aktualisht është e 28-ta në renditjen botërore, por unë besoj se djemtë tanë do të bëjnë më të mirën”, ka thënë Greenbergu për faqen zyrtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).
Më pas trajneri amerikan ka folur edhe për Dardan Berishën dhe Lis Shoshin, duke konfirmuar se të dy këta basketbollistë janë në formë të mirë. “Dardani është në formë të mirë, Lisi po ashtu. Ata me ekipet e tyre në Çeki, përkatësisht Lituani, janë në mes të edicioneve. Edhe Shawn është duke bërë mirë me klubin e tij Dinamo Sassari në Itali. Kjo përbërje e ekipit do të luajë për herë të parë së bashku. Shawn nuk ka luajtur asnjëherë deri më tani me Erjonin dhe unë nuk e kam pasur rastin ta kem atë në dispozicion kurrë më parë. Ne kemi shumë punë të bërë, por shpresojmë të luajmë sa më mirë më 23 shkurt kundër Polonisë dhe më 26 ndaj Lituanisë”, ka deklaruar ai.
Përfaqësuesja e Kosovës të dielën ka zbarkuar në Torun të Polonisë, ku do të qëndrojë deri më 22 shkurt dhe më pas do të zhvendoset për në Wloclawek, qytetin ku edhe do të zhvillohet ndeshja me polakët. Kosova do të ballafaqohet me Poloninë më 23 shkurt duke filluar nga ora 19:00 në Wloclawek, kurse më 26 shkurt në Klaipeda do të jetë mysafire e Lituanisë, takim ky që do të luhet me fillim nga ora 19:30. Të dyja këto ndeshje i takojnë Dritares së Dytë të Grupit C të kualifikimeve evropiane të Kupës së Botës “Kina 2019”, ku Kosova është në grup me Lituaninë, Hungarinë dhe Poloninë. Duhet theksuar se në dy ndeshjet e Dritares së Parë të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”, Kosova ka pësuar disfata, së pari në shtëpi në përballje me Lituaninë, më pas si mysafire në ballafaqim me Hungarinë.
Redaksia online
(e.r. / epokaere.com)