Greiçevci takim lamtumire me ministrin britanik për Evropë
Ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, Lirim Greçevci, ka takuar në një takim lamtumire ministrin britanik për Evropë, Sir Alan Duncan.
Në një postim në profilin e vet në “Faceook”, Greçevci ka treguar se ministrin e ka falënderuar për mikpritjen të cilën ia ka ofruar Qeveria Britanike gjatë ushtrimit të mandatit në Londër, e në veçanti Ministria e Punëve të Jashtme.
“Ministrin e falënderova edhe për organizimin e shkëlqyeshëm të Samitit të Ballkanit Perëndimor në Londër, para disa javësh, ku Kosova mori pjesë e barabartë me të gjitha shtetet e tjera të rajonit. Kjo është shenjë e qartë e vazhdimit të angazhimit britanik në rajonin e Ballkanit edhe pas BREXIT”, ka shkruar ai.
Ky është postimi i plotë i tij:
Takim lamtumirës me Ministrin Britanik për Evropë, Sir Alan Duncan
Kisha nderin që ta zhvillojë një takim të veçantë lamtumirës me Ministrin Britanik për Evropë, Sir Alan Duncan. Ministrin e falenderova për mikpritjen të cilën ma ka ofruar Qeveria Britanike gjatë ushtrimit të mandatit tim në Londër, e në veçanti Ministria e Punëve të Jashtme (Foreign Office). Të shërbesh në një shtet kaq miqësor dhe mbështetës ndaj Kosovës është një privilegj i veçantë. Shteti britanik ka hyrë në luftë për ta çliruar Kosovën, i ka dhënë krah ndërtimit të institucioneve të lira dhe demokratike pas luftës dhe ka qenë ndër shtetet e para që e kanë njohur Kosovën. Kjo mbështetje ka vazhduar edhe pas pavarësisë, duke ndihmuar në masivizimin e njohjeve për Kosovën dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, përmes rrjetit të tyre global diplomatik. Ministrin e falenderova edhe për organizimin e shkëlqyeshëm të Samitit të Ballkanit Perëndimor në Londër, para disa javësh, ku Kosova mori pjesë e barabartë me të gjitha shtetet e tjera të rajonit. Kjo është shenjë e qartë e vazhdimit të angazhimit britanik në rajonin e Ballkanit edhe pas BREXIT. Shpreha shpresën që raportet e ardhshme midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian të jenë sa më të afërta. Bota dhe në veçanti rajoni ynë ka nevojë për një Mbretëri të Bashkuar të fortë dhe një Bashkim Evropian të fortë. Lidershipi dhe vlerat britanike, të cilat populli britanik ia ka dhuruar gjithë botës, janë më të nevojshme se asnjëherë më parë, në kohërat në të cilat po kalojmë.
Shërbimi im në Londër vetëm se ma ka shtuar respektin, shpresën dhe besimin në këtë shtet dhe në këtë popull të mrekullueshëm.
Siç dihet, si diplomatë, ne jemi mysafirë të përkohshëm, por miqësia dhe aleanca midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar është e përhershme.