Grekomania

08 shkurt 2022 | 08:18

Nga: Mihal Grameno (shkrim i botuar në gazetën “Korça”, nr. 11, 8 maj 1909)

Dija është sot vegla më e shëndoshë e njerëzimit edhe e qytetërimit, se me dijen kanë harirë të ndryshojnë jo vetëm faqen e dheut po edhe naturën, se gjithë ç’na shohin sytë e na dëgjojnë veshët, janë të çpikurat e mendjes së njeriut. Gjithë me dijen harinë të xbutin kafshët e shpesët gjer në një shkallë, sa sot i sjellin njerëzimit ato më të mbëdhatë shërbime.

Me dijen harinë gjithë kombet e dheut të qytetërohen, të përparojnë edhe të rojnë të lumturë në këtë botë. Prapë me dijen harinë të shpëtojnë njerëzimn’ nga reziku i vdekjes, duke gjetur mikrobet e tmeruarë të oftikës, kolerës, murtajës edhe gjithë sëmundjeve!

Pra, kur çuditemi me këto të çpikura të dijes, nuku munt të mos qëndrojmë e të habitemi që qysh kjo ditë nuku mundi të gjenjë edhe mikrobne të grekomanisë?!

Edhe megjithëqë kjo sëmundje ësht’ë re në Shqipëri, po, duke mos marë masa kundra saj, kishte zënë të përparojë e gadalë të rënjoset, edhe zot’i math e di sa thesare do të kishte, po të mos zgjoheshin e të kupëtonin reziknë e t’i gjenin një derman shqipëtarët këti mikrobi të tmeruarë.

Grekomanija, është një sëmundje e rezikçime që shëmbëllen me gangrenën, të cilënë, po s’more masa të repta që në krye, je i dënuar për vdekje!

Grekomanija është përhapur në krye, si shpëtimi tonë, grekomanija është përhapur, në krye, si copëtimi tonë edhe kësisoj nuku vërenin reziknë po përkundra e pushtonin, kur, tani 30 vjet, u çfaq faqezaj këjo sëmundje në Shqipëri.

Mikrobet të grekomanisë këtu në Korçë, ku kanë qendrën, i prunë, jo korçarët po ca fanatikë pa ndjenja njeriu ose të shitur, nga Athina e Greqisë edhe kështu hodhë grindjen e zihjen midis vëllazërisë që kanë patur gjithë jetën korçarët.

Shumë keq më vjen të përdor fjalë si «trathëtar» e «i shitur» edhe aqë më shumë për vëllezër shqipëtarë, po faji është i atyre, të cilët janë berë vegla e të huajve edhe armikët e kombit të tyre. Qysh munt ta nemëronj e quanj klikën ose kamarillën e Mitropolisë me Efrem Gjinin nga Elbasanin edhe Jani Dardhën me “&”-inë?

Nukë se s’janë korçarë pa flas për këta, po këta janë shkakëtarë e gjithave ç’kanë ngjarë e ngjasën në Korçë. Qysh mundet njerës të mbaruarë në shkollat e larta të jenë kundra kombit tyre, përveç se janë të shitur?

Një komp pret shërbime nga të këtillë njerës e jo intriga e armiqësi. Në thënçin se me këtë mënyrë duan t’i sjellin dobi kombit, këjo i lakuriqëson edhe më tepër që s’janë tjatër gjë përveç propagandistë të grekomanisë, se tjatër soj qysh munt të mbushin qëllimnë, kur kërkojnë të ndajnë orthodhoksët nga muhamedanët e nga katolikët?

Po propaganda e tyre duket faqezaj që është pas programit të megali idhesë, që të na grekosin e të humbasim gjuhën e bukur tonë, si e panë që më s’mbeti lugë për grekërit në Bullgari, Rumani dhe Serbi.

Mos muhamedanët u trazuan në punërat e kishës e të shkollavet të orthodhoksëvet? Përse atëherë, kur kishin e kanë qëllim të mirë, e ndaluanë lëçitjen e ungjillit edhe të tjerave që thuheshin shqip? E mallëkonin me katran gjith’ ata që kuxonin të thonë që janë shqipëtarë?

Ç’ishin gjith’ ato amenda (geza) që u epnin fëmijës për çdo fjalë që thoshnin shqip?

Zoti Efrem muntë më mirë të ndalonte Elbasanasit, të cilët lëçitnin edhe sot në kishrat shqip, a s’janë dhe ata orthodhoksë? Falje Zotit, i cili s’na la të gjurmojmë këtë udhë të shtrembër e të njohim njëri-tjetrin. Mjerisht, gjenden akoma nga vëllezërit korçarë që gjyrmojnë këtë kamarille, edhe kjo është një turp i math! Është koha që të hapin sytë e të gjykojnë të drejtën për të mirën e mëmëdheut e të vëllazërisë, andaj bënj thirje duke lutur të hiqni dorë nga grekomanija e tjatrë sëmundje si kjo, që të mos lini emër të shkruar me katran.

Sa për trathëtoret istorija do t’u ruajnë çpërblimnë që meritojnë!…

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Teresa Galeote Dalama Përktheu: Bajram Karabolli Politika, si një…