GRENELL PRAPA PORTËS

16 dhjetor 2024 | 15:48

Behxhet Sh. SHALA- BAJGORA

Nuk është Grenell si Hanibali: Hanibali, i biri i Hamilkarit ishte një udhëheqës e strateg ushtarak kartagjenas që i shkaktoi shumë probleme perandorisë Romake sa që nënat romake, për t’i frikësuar fëmijët i kërcënonin me fjalët: “Hanibal ante portas – Hanibali është para derës ..”. Në një betejë kundër legjioneve romake, Hanibali me 50,000 ushtarë, 39 elefantë dhe 9000 kalorës rrethoi 80,000 legjionarë romakë dhe i vrau thuaja të gjithë. Betejën vendimtare e humbi nga Shipion Afrikani pas së cilës u strehua te dy mbretër aleatë të cilët kushtëzoheshin nga Roma ta dorëzojnë Hanibalin në të kundërtën do të përballeshin me luftë.
Për të mos rënë i gjallë në duar romakëve, Hanibali bëri vetëvrasje. Veproi si ushtar dhe gjeneral me dinjitet.
Richard Grenell gjatë mandatit Tramp 1 kishte shumë pozita me rëndësi sikur që mbante pozitën kyçe të koordinatorit të Sigurisë Kombëtare amerikane ku ishin, së paku 16 institucionet kryesore për zbulim dhe kundërzbulim të ShBA-ve. Kush zotëron informatën është mbret i botës kurse Grenell zotëronte të gjitha informatat. Mbahet mend që, së bashku me opozitën në kohën e pandemisë me Covid-19 e rrëzoi qeverinë Kurti 1 duke e shndërruar në martir, pak nën Jezu Krishtin. Kjo, midis tjerash ndikoi që në zgjedhjet e radhës, Albin Kurti me matrushkën Vojsa Osmani dhe analfabeten politike, Donika Shvarc fitoi 51 për qind të votave. Zgjedhjet e radhës i fitoi Sleeping Joe dhe Trampi doli jashtë loje, bashkë me Grenellin që iu kushtua turizmit biznesor në Serbi dhe Shqipëri. Tërë kohën loboi dhe i mbeti besnik presidentit Tramp i cili përndiqej nga një vrasës juridik, prokurori Jack Smith, në mos për ta futur në burg, së paku për ta penguar të garojë në zgjedhjet presidenciale në ShBA. Nuk ia arriti as të parën e as të dytën, Trampi u zgjodh president me pjesën dërrmuese të votave elektorale dhe popullore duke siguruar fitoren republikanëve shumicën edhe në Kongres si dhe në Senat. Tash, nuk flitej nëse Grenell do të jetë pjesë e kabinetit Tramp 2 por se, do të zgjedhë postin sikur që njohësi i mirë zgjedhë shalqinin. Nuk doli të jetë ashtu dhe, për mendimin tim Grenell është degraduar në Administratën Tramp 2 krahasuar me pozitën gjatë Tramp 1. Së fundi, sipas mediave, Grenell është caktuar si emisar special për zgjidhje të vatrave të krizës kudo në botë (post shumë i përgjithësuar), me theks të veçantë në Kore të Veriut, Venezuelë dhe Ballkan. Përkthyer në situatën aktuale i bie të punojë me Nikolas Maduron e Venezuelës apo LV-në e Venezuelës, Kim Jong Unin e Koresë së Veriut, LV-së së këtij shteti komunist dhe diktatorial, Aleksandar Vuçiqin e Serbisë dhe Albin Kurtin, kryetar i LV-së dhe KM i Kosovës, nëse mbetet në pushtet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. E përbashkëta e këtyre katër shteteve është se kanë udhëheqës të majtë, janë diktatorë (Maduro, Kim Uni dhe Vuçiqi kurse Kurti seriozisht po përpiqet të bëhet diktator përmes autoritarizmit institucional dhe partiak duke dhunuar opozitën, mediat, pjesën e panënshtruar të shoqërisë civile, gjykatat dhe prokurorinë).
Maduro dhe Kimi janë komunistë ortodoks, Vuçiqi është një nacionalsocialist me të kaluar komuniste ndërsa Kurti shitet si liberal por që jetën e ka të një aristokrati si i familjes borgjeze të Burbonëve. Venezuela dhe Koreja e Veriut nuk kanë marrëdhënie me Washingtonin, Vuçiqi i ka raportet e mira kurse, të tilla i deklaron edhe Kurti përmes një rrenci dhe mashtruesi që quhet Besnik Gjylekari, duket të jetë stërnip i Hamilkarit, babait të Hanibalit. Ky është rebusi i katërshit me të cilën do të merret Richard Grenell gjatë mandatit të tij si “emisar special”. Për vatrat kryesore, Ukraina, Tajvani, Irani, Gaza dhe tash edhe Siria, Tramp ka tjerë emisarë.

Grenell dhe Kosova: I kemi dy situata apo dy pole, pushteti nuk ndjehet mirë që Grenell po e shkelë përsëri Ballkanin, lexo Kosovën kurse opozita mendon se vota e Grenellit kundër Kurtit do ta sigurojë fitoren e saj. Po e shihni që pozita po tregohet e matur dhe reformuar për mandatin e Grenellit, nuk po e konsideron as si nuse e as si dhëndër të Gjakovës që le të nënkuptohet se Albin Kurti, nëse mbetet në pushtet megjithatë do “të shtrihet pranë Grenellit”, krahasuar me mandatin e parë kur këtë privilegj dhe kënaqësi me atribute kryesisht seksuale e kishte rezervuar për LDK-në.
Besoj se shkëmbimi i territoreve nuk do të jetë pjesë e marrëveshjes me Serbinë përveç nëse sillemi si adoleshentë politikë dhe, “e sjellim ujkun në torishtë …”. Çdo gjë që kalon overdozën, sjell pasoja edhe për jetën, pavarësisht shijes. Edhe overdoza e sovranitetit folklorik prodhon këto pasoja prandaj duhet më shumë mobilizim të pozitës dhe opozitës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 e t’i shmangemi këtij kurthi që po menaxhohet nga Serbia.
Kosova askund nuk është ndër prioritetet sidomos kur bota po vlon nga rreziku i një lufte globale. Po të ishte Kosova një problem i izoluar, moti do të bëhej puna lesh, në rrethanat aktuale që e kemi Shqipërinë, gjendja në Bosnje, Maqedoni të Veriut, Serbi, Mal të Zi, Bullgari problemi i Kosovës mund të prodhojë efektin domino apo zinxhirizimin e konflikteve etnike, për ndryshime territoriale.
Opozita ka një milion argumente për ta sfiduar qeverinë Kurti 2 dhe për ta mundur bindshëm prandaj nuk duhet ta përdorin Grenellin si votues përcaktues për fitoren e tyre sepse nuk iu del ashtu. Trampi 2 nuk është si Trampi 1 e as Grenelli 2 nuk do të jetë si Grenelli 1. Mbajeni në mend dhe kujdes, për të gjithë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pasi u largua përpara kohe nga fusha në ndeshjen mes…