Grenell: ShBA qe 35 vite kishte raporte të shkëlqyeshme me Rugovën, Thaçin dhe Hotin, vetëm me Kurtin raportet janë në krizë

06 janar 2025 | 20:33

Për herë të parë në 35 vjet marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës “janë në krizë dhe partizane, me Albin Kurtin kryeministër”.

Kështu ka thënë në një deklaratë ekskluzive për Nacionale, i emëruari nga Donald Trump për Misione të Posaçme në botë, Richard Grenell.

Dhe jo vetëm me ShBA-në në krizë, thotë ai, por edhe me Bashkimin Evropian.

Grenell thekson se prej presidentit të parë kosovar, Ibrahim Rugovës e te kryeminstri i fundit para qeverisë së Vetëvendosjes, Avdullah Hotit, marrëdhëniet kanë qenë bipartizane, me marrëdhënie “të shkëlqyeshme” si nga administrat Republikane e te ato Demokrate.

Por, jo edhe me Kurtin, sipas Grenellit.

Ky i fundit dy palë zgjedhje radhazi ka marrë anën e Demokratëve: përkatësisht më 2020’ën ku kishte dalë me videoadresim në mbështetje të Joe Biden, si dhe më 2024’ën ku kishte marrë pjesë në Konventëm e Demokratëve kur Kamala Harris mori kandidaturën për të garuar në zgjedhjet presidenciale.

“Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti, që të gjithë kishin marrëdhënie të shkëlqyeshme me Republikanët dhe Demokratët në Amerikë. Hera e vetme në 35 vite kur marrëdhëniet Kosovë – ShBA (edhe Kosovë – BE) u bënë partizane dhe në krizë, janë me Albin Kurtin kryeministër”, tha Richard Grenell për Nacionale.

Hiç më larg se sot Kurti u pyet në një intervistë për atë nëse bagazhi i raporteve të këqija të tij me Richard Grenell dhe Republikanët do të vazhdojë të rëndojë marrëdhëniet me të ardhë Administra Trump.

“Jo”, tha Kurti, teksa e ndërlidhi shpresën se marrëdhëniet me ShBA-në do të jenë të mira duke e bazuar në atë se vendi shpenzon më shumë se 2% të GDP-së në mbrojtje – anipse vendi s’është në NATO dhe s’është kriter për Kosovën.

“Marrëdhënie të shkëlqyera”, i përkshkroi Kurti vendit, dhe ato jo vetëm në diplomaci “por edhe në mbrojtje dhe zhvillim” duke përmenduar blerje të armëve, siç janë Javelin-ët.

“Nuk shoh kurrfarë vështirësish për marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA, që janë partneri ynë kryesor. Unë nuk besoj që do të ndikojnë në raportet tona”.

“Ish-emisari Grenell ka detyrë për Korenë e Jugut (Korrigjim: Kore të Veriut), Venezuelën dhe misione të posaçme, është e rëndësishme çfarë emërime të reja do të ketë në administratë”, tha Kurti.

Vetëvendosja me ndjenja të përziera për Grenell…

Hiç më larg se kohëve të fundit akterë të Vetëvendosjes sërish – ndonëse fillimisht heshtën – nisën një lloj ‘sulmesh’ të reja ndaj Richard Grenell, duke e bërë këtë fundit “pishmanli” për kritikat dhe qasjen e ashpër ndaj Kurtit.

Thanë se i kishte fshirë tweet-at kundër Kurtit – ta zëmë, sipas Haxhi Avdylit – ngase e ka parë “që Albini është aleat i besueshëm i ShBA-së” e madje edhe “Trump i Kosovës”.

Lajme të tilla të titulluara si “Grenell fshiu të gjitha shkrimet për Kurtin” qarkulluan me të madhe në rrjete sociale si brum propagande me mijëra profile e grupa që shpërndajnë përmbajtje pushteti.

Richard Grenell në fakt ka sistem automatik të fshirjes së përmbajtjeve të vjetra çdo katër muajsh në profilin e tij në “X” (ish-Twitter).

Nacionale raportoi para tre javësh se Grenell fushëveprim do ta ketë edhe Ballkanin në postin e tij të ri të emëruar nga Donald.

Pas enlistimit zyrtar të Richard Grenell si “Emisar Presidencial për Misione të Posaçme” nga Donald Trump, fushëveprimi i tij i gjerë “do të përfshijë edhe Ballkanin”, pati kuptuar Nacionale.

Specifikisht, “dialogu për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi” – kupton gazeta.

“Mandati i tij…do të përfshijë edhe Ballkanin. Grenell ekipin do ta ketë me bazë në Shtëpinë e Bardhë”, na patën thënë nga ekipi tranzicional i Trump.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kongresi ka certifikuar zyrtarisht fitoren e Donald Trumpit në zgjedhjet…