Grenell tregon se si e propozoi me shaka që Liqeni i Ujmanit të quhet Liqeni Trump

10 shtator 2020 | 20:11

Emisari i posaçëm i administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, gjatë një interviste për një radio amerikane ka shpalosur detaje të negociatave që kulmuan me marrëveshjen e Uashingtonit, duke pretenduar se mospajtimet Kosovë-Serbi rreth Ujmanit kishin të bënin me emrin e Liqenit.

Në një moment gjatë negociatave në mes të dy shteteve, Grenell tregoi se si në tallje kishte propozuar që Ujmani të quhej Liqeni Trump.

“Ky konflikt i perceptuar që në njëfarë mënyre është konflikt gjatë 21 viteve të kaluara… Kemi qenë të ngujuar për 21 vjet duke u munduar t’i bindim ata të pajtohen për fjalë dhe fraza”, ka thënë ai në fillim të intervistës.

Më vonë ai është munduar që audiencës amerikane këtë gjë t’ia ilustrojë me shembuj.

“Është një liqen atje, mbase nuk duhet ta përmend këtë pasi që dikush në Kosovë apo Serbi mund të zemërohet, përcjell express. Pjesa më e madhe e liqenit është në Kosovë, një pjesë e vogël është në Serbi.

Teksa po mundoheshim ta gjejmë zgjidhjen se si t’i çojmë këto dy shtete drejt bashkëpunimit ekonomik, një prej gjërave që menduam është të gjejmë mënyra rreth liqenit, ka mënyra për krijimin e vendeve të punës përmes projekteve energjetike”, ka thënë ai, duke e vazhduar se ku, sipas mendimit të tij, kishin ngecur gjërat.

Teksa, si ka vazhduar ai, SHBA-ja po i shtynte dy palët “drejt këtij momenti ekonomik, ato përplaseshin se si duhet quajtur liqenin”.

“Shkaku është se kosovarët thoshin se duhet të quhet ashtu si e quanin ata, e serbët sipas emrit të tyre. E unë propozova të quhet sipas emërimit të Kosovës/ Serbisë. Kështu i zemërova dyja palët”, ka thënë ai.

Ai ka vlerësuar se negociatat në Uashington ishin të zorshme.

“Vazhduam ta quanim me dy emrat dhe askujt nuk i pëlqente. Ky lloj lufte rreth fjalëve, simbolikës është, si iu thashë liderëve të dy liderëve: Kjo nuk u jep njerëzve mundësi t’i paguajnë kreditë, nuk u siguron ushqim. Nëse vazhdoni të luftoni për simbolikë, mbiemra, folje, emra, nuk do të shkojmë askund.

Lini anash këto gjëra dhe vazhdojmë me ekonominë. Më në fund e lanë, por unë, në tallje u thashë: Nëse s’pajtoheni rreth emrit, mund ta quajmë Liqeni Trump”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në rrjetet sociale ka shpërthyer gallata me një foto të…