Grenelli deklarohet pas takimit me Kurtin, kërkon heqjen e taksës 100 për qind
I dërguari i Posaçëm i presidentit të ShBA-së, Donald Trump, për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Richard Grenell, është takuar sot me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin.
Grenell pas takimit me Kurtin, ka thënë se formimi i qeverisë nuk është çështje e tij.
Ai ka treguar se me Kurtin kanë biseduar për çështjen e ekonomisë.
“Çështja për formimin e qeverisë nuk është çështje e imja. Kurtit i tregova se edhe Britania e Madhe dhe Gjermania kishin telashe për lidhjen e koalicioneve për formimin e qeverisë. Unë thash se ne ju shikojmë dhe shohim se çfarë po ndodh, unë i inkurajoj që të ndjekin rregullat që të gjithë i kanë bërë dhe të shohin vendet e tjera”, ka deklaruar Grenell.
“Duam të kemi një zhvillim ekonomik. Duke pasur qeveri hapet mundësia për punë dhe rritet numri i të punësuarve. Ne jemi të interesuar në ekonomi dhe jo në qeveri”, është shprehur i dërguari i Posaçëm i presidentit të ShBA-së, Donald Trump, Richard Grenell.
“Jam duke u munduar që të injorojë përplasjet politike dhe të koncentrohem në rritje ekonomike dhe për këtë kam kërkuar nga Albin Kurti dhe do të kërkojë edhe nga politikanët tjerë që është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë tutje në zhvillim ekonomik që tarifa 100 për qind të hiqet”, ka thënë ai.
Grenell në këto momente është në takim me liderin e LDK-së, Isa Mustafa.
Ai është takuar mbrëmë edhe me presidentin Hashim Thaçi, me të cilin ka biseduar për ecurinë e dialogut Kosovë-Serbi.
/Epoka e re/