Grenelli: ‘Gjermanët janë në anën e gabuar të historisë duke përqafuar fashistin Kurti’
Ish-emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, ka akuzuar Gjermaninë se është rreshtuar “në anën e kundërt të historisë”, duke mbështetur një “fashist”, siç e ka cilësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, posaçërisht rreth zhvillimeve në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Grenelli nëpërmjet një postimi në platformën “X” të martën, ka pretenduar se dy forcat kryesore politike në ShBA – demokratët dhe republikanët rrallë gjejnë gjuhë të përbashkët, sidomos sa i përket politikës së jashtme, por pajtohen se problemi i ngërçit është pikërisht kreu i ekzekutivit kosovar, i cili, sipas diplomatit amerikan, ka nxitur dhunën në pjesën veriore.
“Gjermanët janë në anën e gabuar të historisë: duke përqafuar fashistin Kurti. Çdo shtet në botë ka dënuar Kurtin për nxitje të dhunës – përveç Gjermanisë. Republikanët dhe demokratët rrallë pajtohen… por ata pajtohen se Kurti është problemi”, ka shkruar Grenelli, pas vizitës së sekretares Parlamentare në Ministrinë e Mbrojtjes së Gjermanisë, Siemtie Moeller në Kosovë.