
Grenelli: Kam folur me Thaçin, Gjykata Speciale është shumë politike
Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, ka treguar se ka folur me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Ai ka thënë se sistemi i drejtësisë duhet ta bëjë punën siç duhet, por Gjykatën Speciale e ka cilësuar si shumë politike.
“Kam folur me ish-presidentin Thaçi. Mendoj se duhet ta lëmë sistemin gjyqësor të bëjë punën e tij. Unë uroj që ata të jenë shumë më të shpejtë. Është e turpshme që u deshën 20 vjet për të arritur në këtë pikë. Mendoj se gjykata është shumë politike, ata e panë që ne po shkonim drejt një marrëveshjeje”, ka thënë Grenelli për “T7”.
Ai është shprehur se “BE-ja duhet të bëjë diçka për këtë” dhe theksoi se “politika nuk duhet të ndërhyjë në drejtësi”.
Aktakuza kundër Thaçit që përmban akuza për krime lufte e krime kundër njerëzimit, u bë e ditur më 24 qershor 2020, kur ish-presidenti po udhëtonte drejt ShBA-së për t’u takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Në aeroplanin me të cilin po shkonte në raundin e radhës të dialogut që do të ndërmjetësohej nga administrata Trump, ish-kreu i Shtetit kishte mësuar për akuzat kundër tij dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.