Grenelli komenton deklaratën e komandantit të KFOR-it: Akuzat ndaj Kurtit janë serioze
Para pak ditësh në një intervistë për gazetën italiane për “Corriere della Sera”, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, kishte vlerësuar se misioni i NATO-së “nuk është çadër për t’u strehuar pas veprimeve të njëanshme”.
Këtë deklaratë, ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e ka cilësuar si “akuzë serioze” ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Në një përgjigje të tij për mediumin “The Pavlovic Today”, Grenelli ka deklaruar se këto akuza janë serioze dhe se “populli i Kosovës meriton më mirë”.
Madje, ai është cituar të ketë deklaruar se “Kurti ka arritur ta izolojë plotësisht Kosovën”.
Grenelli ka shprehur shqetësimet e tij edhe në lidhje me mandatin e kryetarëve të zgjedhur në komunat në veri të Kosovës.
“Nëse ata janë zgjedhur siç duhet, atëherë pse BE-ja po kërkon zgjedhje të reja?”, ka pyetur Grenelli.
Ndërkohë deklarata e gjeneralmajorit të KFOR-it që është ko komentuar është kjo: “Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR-i) nuk mundet dhe nuk duhet të konsiderohet si një çadër ku duhet të strehohesh pas veprimeve të njëanshme që shqetësojnë balancet e pasigurta”.