Grenelli konfirmon anulimin e takimit të 27 qershorit në Uashington
25 qershor 2020
| 16:23
Pasi kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se nuk do të shkonte në takimin në Uashington, pas aktakuzave për krime lufte për presidentin Hashim Thaçi dhe liderin e PDK-së, Kadri Veseli, ka ardhur një reagim nga i dërguari i posaçëm i ShBA-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.
Grenelli ka konfirmuar lajmin për anulimin e takimit të 27 qershorit. Përmes një mesazhi në llogarinë e vet në “Twitter”, Grenelli ka theksuar se ShBA-ja e mirëkupton vendimin e Hotit, ndërsa ka shtuar se mirëpresin një ricaktim të një tjetër date.
“Faleminderit kryeministër Hoti. Ne e kuptojmë vendimin tuaj dhe mezi presim ta ricaktojmë takimin së shpejti”, ka shkruar Grenelli, raporton “Epoka e re”.