Grenelli në gazetën gjermane, i rreptë me Gjermaninë

15 maj 2020 | 09:55

Ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell, e ka akuzuar Gjermaninë se po e minon rolin frenues bërthamor të NATO-s. Komentet e tij drejtoheshin ndaj partnerëve të rinj në koalicionin e kancelares Angela Merkel, pas thirrjeve të disa prej tyre për çarmatim bërthamor.

Rolf Muetzenich, udhëheqës i grupit parlamentar të Social Demokratëve (SPD), bëri thirrje në fillim të këtij muaji për tërheqjen e të gjitha armëve bërthamore amerikane nga Gjermania, një pikëpamje që e ka përçarë partinë e tij me prirje të majta dhe që nuk përkrahet nga konservatorët e zonjës Merkel.

Në një shkrim për gazetën gjermane “Die Welt”, ambasadori Grenell shkruante: “Në vend se të minohet solidariteti, i cili përbën bazën e frenimit bërthamor të NATO-s, është koha që Gjermania t’i përmbushë angazhimet e saj ndaj aleatëve dhe të investojë pa ndërprerë në pjesëmarrjen bërthamore brenda NATO-s”.

“Udhëheqja politike e Gjermanisë, veçanërisht ajo e SPD-së, tani duhet që ta bëjë të qartë se republika federale po i respekton këto angazhime dhe se po qëndron përkrah aleatëve të saj”, ka shkruar ambasadori Grenell, i cili është drejtor në detyrë i Inteligjencës Kombëtare të presidentit Donald Trump.

Komentet e tij shënojnë një tjetër çast të sikletshëm në marrëdhëniet midis Berlinit dhe Uashingtonit që janë tensionuar shpesh gjatë presidencës Trump. Presidenti i ka bërë presion Gjermanisë për t’i rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe e ka akuzuar Berlinin si “të kapur” nga Rusia për shkak të varësisë energjetike nga Moska.

Komentet e zotit Grenell vijnë një ditë pasi kancelarja Merkel foli për “prova të forta” se Rusia qëndron prapa një sulmi kibernetik ndaj zyrës së saj në Bundestag në vitin 2015, për të cilin ajo u shpreh se “i ka dhembur shumë”.

Zoti Grenell tha: “Rreziqet që kërcënojnë paqen në Evropë nuk janë një ‘anakronizëm’, siç duan të na mbushin mendjen disa njerëz”. “Ndërhyrja ruse në Ukrainë, dislokimi nga Rusia në periferi të Evropës i raketave të reja, të afta të mbajnë mbushje bërthamore, si dhe aftësitë e reja të Kinës, Koresë së Veriut dhe vendeve të tjera, e bëjnë të qartë se kërcënimi është shumë real”, ka shkruar Grenell.

Në marrëveshjen e koalicionit midis konservatorëve të zonjës Merkel dhe SPD-së përmenden bisedimet e suksesshme për çarmatimin, si parakusht për tërheqjen e armëve bërthamore taktike të stacionuara në Gjermani dhe në Evropë.

Por, debati mbi armët bërthamore mori shkas nga njoftimet muajin e kaluar se Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë dëshironte të blinte 45 avionë luftarakë F-18 nga kompania amerikane “Boeing” për t’i zëvendësuar avionët e vjetruar Tornado dhe se kjo ministri synonte të merrte përsipër detyrën e ushtrisë gjermane për të ashtuquajturën ndarje e barrës bërthamore, sipas së cilës, avionët e rinj do të bartnin bomba bërthamore amerikane në rast krize.

Nëse Gjermania nuk i blenë avionët e rinj, ndarja e barrës bërthamore do të merrte fund dhe avionët “Tornado” do të nxirreshin jashtë përdorimit në vitin 2030. /VoA

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka njoftuar se me urdhëresë të gjykatës…