Grenelli nga Shtëpia e Bardhë ushtron detyrën e emisarit në dialogun Kosovë-Serbi
Këshilltari i presidentit Donald Trump për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, ka folur pasi Richard Grenell ka dhënë dorëheqje nga pozita e ambasadorit të SHBA-së në Gjermani.
O’Bireni ka treguar se Richard Grenelli ka vullnet për t’i shërbyer Shteteve të Bashkuara të Amerikës në pozitën e emisarit për dialogun Kosovë-Serbi. Ai ka thënë se Grenelli do të punojë jashtë Shtëpisë së Bardhë dhe atë me orar të përgjysmuar. “I jam mirënjohës Ric-ut për vullnetin e treguar për t’i shërbyer kombit tonë në kapacitete të pjesshme si përfaqësues special për negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke ushtruar detyrën e tij nga Shtëpia e Bardhë”, është thënë në qëndrimin e O’Brien të publikuar nga National Security Council.
Ndërkohë gazetarja e Bloomberg-ut, Jennifer Jacobs, ka thënë se Richard Grenell do të punojë në kampusin e Shtëpisë së Bardhë në ndërtesën e “Eisenhower Executive Office Building”.
“Më është thënë se aleati i Trumpit, Richard Grenell, ka dhënë dorëheqje nga roli i tij si ambasador në Gjermani të hënën. Ai është i fokusuar në rolin e tij si përfaqësues special për negociatat Kosovë-Serbi. Ai është zhvendosur në një zyrë në kampusin e Shtëpisë së Bardhë, në EEOB, të hënën”, ka shkruar Jacobs në llogarinë e saj në “Twitter”.