Grenelli për vizitën në Kosovë: Trumpi na tha ‘shkoni dhe zbatoni marrëveshjet’
Emisari special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në konferencën për media ka përmendur mesazhet të cilat shefi i tij, presidenti Donald Trump, ia dha në raport me marrëveshjet e 4 shtatorit.
“Presidenti Trump mburret me këtë marrëveshje historike. Mos gaboni se nuk do të ishim këtu po të mos ishte presidenti Trump. Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, presdenti Trump na tha në Zyrën Ovale, shkoni dhe zbatoni marrëveshjet, dhe mos i lëni vetëm fjalë. Ai është president i orientuar në veprime”, ka thënë Grenelli.
“Erdhëm ta dëshmojmë përkushtimin rreth marrëveshjes për normalizimin ekonomik. E dimë se Kosovës i janë bërë premtime në të kaluarën dhe duam të zotohemi se do të vazhdohet me zbatimin e marrëveshjes”, ka thënë ai pas takimit në ndërtesën e Qeverisë me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, raporton “Epoka e re”.
Ndërkaq, kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC), Adam Boehler, ka theksuar se do të investojnë 100 milionë dollarë në Kosovë.