Grenelli: Qeveria Kurti refuzoi paratë e ShBA-së për gazin
Ish-emisari special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell është duke qëndruar për vizitë në Kosovë.
Në një prononcim për media, Grenelli ka thënë se akuzat e opinionistit serb, Dusan Janjiq se ai paguhet nga Serbia janë të pavërteta.
Grenelli ka folur edhe për çështjen e projektit amerikan të gazit, duke thënë se Kosova ka refuzuar të pranojë para nga ShBA-ja për të shtyrë përpara këtë projekt.
“E kemi parë këtë personin nga Serbia që ka bërë këtë akuzën e rëndë për mua se jam duke u paguar nga Serbia. Kjo s’është e vërtetë aspak. Është lajm i rremë. Nuk mendoj se mediat duhet të raportojnë një gjë të tillë. Është thashetheme. Mediat kanë përgjegjësinë të raportojnë vetëm faktet”, ka thënë ai.
Duke e quajtur përdorimin e qymyrit si të dëmshëm, Grenelli ka kritikuar Qeverinë Kurti për refuzim të të hollave të ShBA-së për projektin e gazit.
“Në Kosovë është nevoja që të hiqet qymyri nga përdorimi. Është i dëmshëm. Çfarë kemi parë prej qeverisë aktuale është një refuzim për të hollat e ShBA-së për gazin. Do të ishte më lirë dhe më e shëndetshme për njerëzit e Kosovës. Do të dëshiroja që ambasada amerikane të ishte më e qartë në këtë drejtim. Ata e humbën mundësinë që të jenë më të qartë”, ka thënë Grenelli.
Më tutje, ish-ambasadori amerikan në Gjermani është shprehur se administrata Biden duhet të jetë më agresive në Ballkan.
“Ideja që ShBA-ja është duke pritur Brukselin është frustruese. Ne duam të shohim më shumë veprime sa i përket dialogut. Administrata Biden duhet të jetë më agresive. Ata duhet të jenë më aktivë në Balkan duke e caktuar një Emisar Special. Nuk e kam parë Joe Bidenin duke folur për normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Grenelli.