Grenelli: S’ndjehem mirë që Thaçi është në burg për shkak se ne e ftuam në ShBA, do ta lirojmë nëse fiton Trumpi

18 shtator 2024 | 11:48

Ish-emisari special presidencial amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se ka punuar me kryeministrin Albin Kurti dhe ka potencuar se problemi me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje është se “është në mënyrë konstante antiamerikan”.

“Ai është tani lideri i Kosovës që është kritikuar nga e gjithë bota, nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Shtëpia e Bardhë e drejtuar nga Bideni, nga BE-ja, gjermanët dhe Franca”, ka thënë Grenell në një intervistë.

Ai është pyetur edhe për prokurorin amerikan, Jack Smith, që ka lëshuar fletëarrestin për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe që më pas ka lënë Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe është kthyer në ShBA për të ndjekur penalisht ish-presidentin amerikan, Donald Trump.

Grenelli ka thënë se fletarrestimi për Thaçin është lëshuar në kohën kur po bëhej progres sa i përket dialogut Kosovë-Serbi dhe kur ish-presidenti kosovar ishte ftuar në Uashington.

Grenelli ka thënë se Smith e kishte targetuar Thaçin dhe sipas tij, fakti që ish-presidenti i Kosovës vazhdon të qëndrojë në burg është një mizori.

Ish-emisari amerikan, që është përfolur se mund të emërohet edhe Sekretar i Shtetit në rast të një fitoreje të Trumpit në zgjedhjet e nëntorit, ka thënë se s’ndjehet mirë për faktin që Thaçi gjendet në burg, meqë arrestimi i tij ndodhi pasi u ftua që të udhëtojë drejt ShBA-së për marrëveshjen e Uashingtonit.

Grenelli ka thënë se e ndjenë që duhet të bëjë diçka për të nxjerrë nga burgu dhe ka thënë se mezi pret që Trumpi të fitojë sepse do ta lirojnë ish-presidentin Hashim Thaçi nga burgu.

“Çfarë unë besoj, është që kur ne ishim duke bërë progres, Jack Smith ishte në Hagë atë kohë, targetoi presidentin Thaçi. Tani presidenti Thaçi vazhdon të jetë në burg dhe kjo është një mizori. Për mua është një mizori. S’ndjehem mirë për një situatë të tillë, sepse ne e ftuam që të vijë në ShBA të negociojë dhe ai u penalizua dhe shko në burg për këtë. Unë e ndjej që duhet të bëjë diçka që të nxjerr nga burgu dhe kam provuar dhe mezi pres që presidenti Trump të fitojë dhe sepse do ta nxjerrim Thaçin nga burgu”, ka thënë Grenelli.

Hashim Thaçi së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka filluar në prill të vitit 2023. Ata janë deklaruar të pafajshëm në raport me akuzat me të cilat është duke i ngarkuar Gjykata Speciale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Albin Kurti, ka bashkëbiseduar të mërkurën me përfaqësues të…