Grenelli thotë se është gabim i madh mospjesëmarrja e Kosovës në “Open Balkan”

03 gusht 2021 | 15:47

Pas vizitës në Serbi, ish i dërguari i presidentit Donald Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka zgjedhur ta vizitojë Shqipërinë.

Në një intervistë për “News24” Richard Grenell ka treguar arsyen që e ka rikthyer në Ballkan pasi ka lënë detyrën e lartë në administratën Trump.

Grenelli ka thënë se është duke promovuar investimet e huaja dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon, si e vetmja mënyrë për të garantuar mirëqenie për të gjithë qytetarët, por veçanërisht për të siguruar më shumë mundësi punësimi për brezin e ri.

“Vizioni i presidentit Trump për dialogun mes Kosovës dhe Serbinë, kishte të bënte me krijimin e vendeve të punës, me ekonominë, ideja ishte që rajoni i Ballkanit të ecte përpara. Ne kemi folur për politikën për dekada të tëra, por nuk kishte shumë progres kur ishim vetëm të ulur në tavolinë dhe diskutonim vetëm për politikë, kështu që ishte dëshira jonë që të përparonim ta shtynim më tej duke folur për zhvillimin ekonomik, duke folur për punësimin e rinisë, ja këtë kemi parë së fundmi, marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike që bëri të mundur administrata Trump ishte shumë e frytshme. Por ajo që ne duam të shohim është vijimësia e atij investimi, ja prandaj jam këtu, nuk punoj më për qeverinë. Jam në sektorin privat, dhe ne jemi duke parë mundësitë për të krijuar një sektor privat për investimet e huaja në Ballkan. Këtu jemi për të parë projekte të ndryshme, për të kuptuar më mirë ke investitor duhet të sjellim për investimet e huaja”, ka thënë Grenelli.

Si një diplomat që kishte nën mbikëqyrje ecurinë e bisedimeve Kosovë-Serbi, Grenelli ka komentuar edhe vendimin e Kosovës për të qenë jashtë iniciativës “Open Ballkan” siç është emërtuar “Minishengeni” ballkanik.

Për të vendimi i Albin Kurtit është thjesht i gabuar.

“Unë mendoj se ai duhet të jetë pjesë e një bashkëbisedimi më të gjerë ballkanik, dhe ai nuk po e bën këtë. Është gabim i madh. Unë mendoj se Kosova, njerëzit e Kosovës meritojnë të kenë vende pune, por pa qenë pjesë e këtij diskutimi, ata nuk do të kenë mundësi të jenë pjesë e normalizimit të marrëdhënieve ekonomike në Ballkan dhe as të diskutimeve”, ka thënë  Grenelli.

Por, vizionar e ka quajtur Edi Ramën, i cili ka treguar lidership në këtë iniciativë që sipas tij do të krijojë më shumë vende pune për shqiptarët.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme të kemi këtë lidership, Rama e shikon qartësisht, se zhvillimi ekonomik, dhe refuzimin e asaj politike, shiko të rinjtë presin që të kenë vende punë, ata duan të shikojnë që industri të reja po vijnë në vendin e tyre, dhe unë mendoj se vizioni që ka kryeministri Edi Rama, është një vizion shumë i mirë për njerëzit, kjo do të thotë një jetë më e mirë për shumë shqiptarë, dhe sigurisht në mbarë Ballkanin”, është shprehur Grenelli.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Norvegjia është vendi me përqindjen më të lartë të prodhimit…