Greqia dëbon dy diplomatë rusë
Greqia ka urdhëruar dëbimin e dy diplomatëve rusë dhe ua ka ndaluar hyrjen dy të tjerëve, nën dyshimet se kanë rrezikuar sigurinë kombëtare.
Qeveria greke ka bërë me dije se zyrtarët rusë kanë synuar të sigurojnë dhe të shpërndajnë informacione të ndjeshme.
Zëdhënësi i Qeverisë greke, Dimitris Tzanakopoulos, ka thënë se Athina nuk do të tolerojë asnjë sjellje që shkel ligjin ndërkombëtar.
Gazeta greke “Kathimerini”, ka shkruar se Athina ka urdhëruar dëbimin e diplomatëve rusë, pas përpjekjeve të perceptuara të tyre për të dëmtuar marrëveshjen që Greqia ka arritur me Maqedoninë, muajin e kaluar, për zgjidhjen e kontestit të emrit të ish-republikës jugosllave, raporton “REl”.
Marrëveshja pritet të hapë rrugën për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.
Rusia, e cila është kundër zgjerimit të aleancës ushtarake perëndimore, tha se do t’i përgjigjet dëbimit të diplomatëve të saj nga Greqia.