Greqia do t’i kërkojë Gjermanisë 280 miliardë euro dëmshpërblim për luftën
Greqia muajin e ardhshëm do të fillojë të kërkojë nga Gjermania 280 miliardë euro të reparacioneve të Luftës së Dytë Botërore, shumë që përkon thuajse me borxhin kolosal grek, shkruan revista gjermane “Der Spiegel”.
Lajmi vjen pak ditë para vizitës së presidentit gjerman Frank Walter Steinmajer në Athinë dhe takimeve të tij me zyrtarë të lartë të shtetit grek.
Revista gjermane shkruan se për sa kohë që Greqia ishte e ndërvarur nga mbështetja e BE-së, kryeministri grek Alexis Tsipras shmangte kërkimin e kompensimeve të luftës, ndërsa disa javë pasi Athina përfundoi programin e tretë të ndihmave, qeveria greke fillon një fushatë me pretendime për këto reparacione.
Raportin që do të shkojë për ratifikim në parlament, Greqia e ka pasur gati prej vitit 2016, por e mbante të mbyllur në sirtar për sa kohë ajo merrte ndihmë nga vendet e BE, ku pjesën e luanit e jepte Gjermania.
Aty thuhet se Greqia ka të drejtë të kërkojë 269.5 miliardë euro kompensime nga Lufta e Dytë Botërore, si dhe një kredi që Gjermania i ka marrë asaj në kohën e pushtimit prej 10.3 miliardë euro.
Gjithashtu, sipas raportit Greqia do të çojë çështjen edhe në gjykatat gjermane, në Këshillin Evropian dhe në OKB, megjithëse, siç dihet, Berlini ka ripërsëritur shumë herë se çështja është e zgjidhur dhe se nuk ka asnjë borxh ndaj Greqisë.
Revista gjermane përkujton se çështja e dëmshpërblimeve të Luftës së Dytë Botërore do të jetë pjesë e agjendës të takimeve të presidentit gjerman në Athinë, i cili midis të tjerash në programin e tij do të vizitojë vendin ku nazistët kanë pasur kampin e tyre të përqendrimit në lagjen greke Hajdhari të kryeqytetit./TCh