Greqia do t’i mbyllë dyert për emigrantët që nuk kanë të drejtë azili
Greqia ka bërë me dije të premten se është duke vendosur më shumë roje kufitare për të “mbyllur dyert” për emigrantët që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në këtë vend.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis, ka thënë se ka miratuar punësimin e 400 rojeve në kufirin tokësor të Greqisë me Turqinë dhe të 800 rojeve të tjera në ishuj.
Greqia do të rrisë edhe operacionet e patrullimit në det, ka thënë kryeministri grek.
Të mërkurën, Qeveria konservatore greke i ka bërë publike planet për mbylljen e kampeve të mbipopulluara të refugjatëve në ishuj dhe për zëvendësimin e tyre me qendra më të kufizuara të strehimit.
“Të mirëseardhur në Greqi janë vetëm ata që ne i zgjedhim. Ata që nuk janë të mirëseardhur do të kthehen”, ka thënë Mitsotakisi, raporton “Rel”.
Greqia ka qenë porta kryesore për në Bashkimin Evropian për më shumë se dy milionë njerëz që kanë ikur nga luftërat dhe varfëria në Lindjen e Mesme, qysh në vitin 2015.
Mitsotakisi, i cili e ka marrë detyrën në korrik, ka një qëndrim më të ashpër ndaj emigrantëve dhe azilkërkuesve, sesa paraardhësi i tij i krahut të majtë, Alexis Tsipras.