Greqia kërkon ndihmën e BE-së për shuarjen e zjarreve
Qindra banorë janë evakuuar dhe kryeministri grek ka anuluar pushimet pasi dhjetëra zjarrfikës po përballen me zjarret në ishullin e dytë më të madh të vendit, Evia.
“Gjendja është jashtëzakonisht e vështirë dhe prioriteti i parë i yni është të mbrojmë jetët e njerëzve”, ka thënë Kiriako Micotaqis për gazetarët jashtë qendrës së Departamentit të zjarrfikësve që po menaxhon operacionet, pasi më herët kishte anuluar pushimet në ishullin e Kretës.
Micotaqisi ka theksuar se edhe katër avionë Kanadair nga Kroacia dhe Italia i janë bashkuar përpjekjeve për të shuar flakët pasi Greqia ka kërkuar ndihmën e BE-së.
Pasi ka rënë nata, ekipet e zjarrfikësve kanë luftuar për të mbrojtur disa fshatra, pasi më herët kishin evakuuar banorët.
Zjarri në ishullin e dytë më të madh të Greqisë, pas Kretës, i ndodhur në verilindje të Athinës, nisi në një zonë të mbrojtur dhe u përhap shpejt nga erërat e forta. Tymi dhe flakët mund të shiheshin madje edhe nga kryeqyteti grek, 90 kilometra larg.
Mbi 200 zjarrfikës kanë luftuar me flakët të mbështetur nga 75 makina zjarrfikëse, pesë helikopterë dhe gjashtë avionë në një front prej 11 km. Greqia është prekur një nga seri vatrash zjarri që nga fundjava. Disa vatra zjarri janë vënë nën kontroll në ishullin Thasos dhe rajonin e Peloponezit.
Të hënën, një zjarr i madh në pyje kërcënoi shtëpitë në periferinë lindore të Athinës, ndërsa dy vatra të tjera u shuan në maratonë, afër Matit, resortin ku 102 persona humbën jetën vitin e kaluar, në tragjedinë më të rëndë në vend si pasojë e zjarreve.