Greqia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, ka thënë të mërkurën në Beograd se vendi i tij nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa ka sqaruar se zyra tregtare e Kosovës në Athinë nuk do të jetë përfaqësi diplomatike.
“Qysh në vitin 2011 dhe 2014, në kohën e qeverisë së atëhershme, është rënë dakord të hapet zyra tregtare e Kosovës. Zyra tregtare në Athinë, kur të hapet, nuk do të jetë përfaqësim diplomatik i Kosovës. Kjo nuk është rënë dakord dhe nuk është paraparë”, ka thënë Kotzias për gazetarët në Qeverinë e Serbisë, pas takimit me homologun serb, Ivica Daçiq.
Ky i fundit, siç transmeton Shërbimi i Ballkanit i “Radios Evropa e Lirë”, e ka falënderuar ministrin grek për, siç tha, mbështetjen që i jep vendi i tij integritetit territorial të Serbisë.
Greqia, së bashku me Spanjën, Qipron, Sllovakinë dhe Rumaninë, janë pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës, edhe dhjetë vjet pas shpalljes së saj.