Greva e punëtorëve të ‘Pastrimit’, Rama: Situata është e papranueshme
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë reaguar lidhur me grevën e punëtorëve të ndërmarrjes “Pastrimi”, duke bërë që rrugët e kryeqytetit të mbushen me mbeturina.
Rama ka thënë se e kupton shqetësimin e punëtorëve të kësaj kompanie, por sipas tij situata është e papranueshme.
“Të nderuar banorë të kryeqytetit, me shqetësim të madh po e adresoj grevën e fundit të punëtorëve të ndërmarrjes ‘Pastrimi’. Ne e kuptojmë zhgënjimin e punëtorëve dhe njohim të drejtën e tyre për të protestuar, por vendimi i tyre për të ndërprerë punën ka pasur një ndikim të rëndë në pastërtinë e qytetit tonë. Rrugët janë të mbushura me mbeturina dhe kjo situatë është e papranueshme. Ne kemi qenë aktivisht të angazhuar me ndërmarrjen për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje dhe jemi të përkushtuar për të arritur një marrëveshje të drejtë nga e cila do të përfitojnë edhe punëtorët dhe kryeqyteti”.
“Ndërkohë, ne jemi duke vendosur të gjitha burimet në dispozicion për të menaxhuar situatën dhe për të pastruar sa më shpejt mbeturinat. Kërkojmë ndjesë për shqetësimin e shkaktuar dhe ju sigurojmë se po punojmë me përkushtim të plotë për të zgjidhur sa më shpejtë situatën”, ka shkruar Rama në “Facebook”.