Greva i anulon fluturimet në Aeroportin e Prishtinës
Shoqata Sindikale e Kontrollorëve Ajrorë në Kosovë ka vazhduar grevën për të dytën ditë me radhë, në kundërshtim të Ligjit për paga, i cili, sipas saj, e cenon dhe dëmton pavarësinë e këtij institucioni.
Thuhet se ky ligj ndikon në inkasimin e të hyrave direkte të kontrollorëve ajrorë dhe se është në kundërshtim edhe me ligjet e Bashkimit Evropian.
Si pasojë e grevës, janë shtyrë dhe anuluar dhjetëra fluturime në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
“Gjatë ditës së sotme kanë qenë të planifikuara 16 fluturime në arritje dhe 14 në nisje. Nga këto, 6 fluturime në arritje dhe të njëjtat në nisje janë afektuar si pasojë e grevës se Kontrollorëve të Trafikut Ajror”, ka thënë zyrtari për media në Aeroportin e Prishtinës, Unidon Krasniqi.
Artan Hasani, kryetar i Shoqatës Sindikale të Kontrollorëve të Trafikur Ajror, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se greva është duke vazhduar dhe do të shënojë intensitet deri në rishikimin e Ligjit për paga.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit e Kosovës përmes një njoftimi ka pranuar me shqetësim vazhdimin e grevës nga kontrollorët e trafikut ajror.
“E drejta e punëtorëve për grevë është e garantuar me ligjin në fuqi, por ajo duhet të zhvillohet brenda kornizave të ligjit për greva. Për shërbimet e rëndësisë jetike, siç është shërbimi i navigimit ajror, nevojiten të plotësohen disa kushte të caktuara dhe të sigurohet minimumi i procesit të punës gjatë grevës, duke mos e rrezikuar në asnjë moment sigurinë e aviacionit, jetën apo shëndetin e njerëzve dhe duke parandaluar shkaktimin e dëmit me pasoja të mëdha”, thuhet në komunikatën për media të Ministrisë së Infrastrukturës.