Greva në Aeroportin e Prishtinës shkakton vonesa për udhëtarët
Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, sot kanë mbajtur një grevë një orëshe, grevë kjo e cila ka shkaktuar tollovi dhe vonesa për fluturime.
Punëtorët përmes kësaj greve po kërkojnë kompensim dhe benifite tjera për rrezikshmërinë, eliminimin e dallimeve në paga, pagesa e përvojës së punës, orët e punës gjatë vikendeve të paguhen sipas ligjit të punës dhe pagesa e shujtës.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Aeroportit të Prishtinës, Bashkim Latifi tha se greva ka shkuar ashtu siç edhe është planifikuar dhe se përmes kësaj greve kanë dërguar mesazhet e tyre te menaxhmenti i Aeroportit të Prishtinës.
Ai ka paralajmëruar se nëse nuk reflektojnë karshi kërkesave të tyre, greva do vazhdoj tutje edhe nesër ku do protestojnë dy orë dhe po ashtu edhe të mërkurën ku greva do vazhdoj gjatë tërë ditës, transmeton ksp.
Ndërsa për pengesat dhe vonesat në procesin e punës së aeroportit, zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara tha se janë shkaktuar, pasi që një grevistë ilegalisht e ka ndërprerë shiritin e bagazhit dhe kjo pastaj ka shkaktuar telashe.