Greva në shëndetësi, Syla u kërkon falje pacientëve: Kryeministër, kthjelluni

25 nëntor 2021 | 15:04

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK), Blerim Syla, në një konferencë për media u ka kërkuar falje të gjithë pacientëve për grevën e mbajtur gjatë së enjtes në të gjithë sistemin shëndetësor.

Ai ka bërë me dije se greva është mbajtur për shkak të moszbatimit të Ligjit të Pagave. Në këtë kontekst, Syla ka thënë se greva është respektuar nga të gjithë punonjësit shëndetësor.

Syla ka sqaruar se shërbime u janë ofruar të gjithë pacientëve që kanë qenë në gjendje emergjente. “Pacientë të dashur iu kërkojnë falje që Qeveria Kurti për tetë orë na bëri që të ndahemi nga ju. Në 43 qendra shëndetësore, në 7 spitale regjionale dhe qendra të mjekësisë i janë përgjigjur grevës 100 për qind  e punëtorëve. Ky është unitet dhe tregon se jeni të bashkuar për kërkesat tona legjitime”, ka thënë Syla.

Më tutje, Syla i ka bërë thirre kryeministrit Albin Kurti që të takohen për të diskutuar lidhur me kërkesat e tyre, duke shtuar se nuk janë të interesuar për trazira sociale. “Zoti kryeministër, të lutem, të përgjërohem, të takohemi. Kthjelluni dhe na ftoni në takim.  Le të jetë ky mesazhi i fundit për qeverinë, mos na ndani prej pacientëve. Mos na detyroni të bëjmë gjeste që nuk duam. Nëse ju doni trazira sociale, ne do ta ruajmë shtetit tonë”, ka thënë Syla.

Në përkrahje të mjekëve ka dalë edhe SBAShK-u. Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, ka thënë se duhet të hapen dyert e dialogut për sindikatat nga ana e Qeverisë Kurti. Ndërsa kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, ka thënë se janë të interesuar që problemet të zgjidhen përmes dialogut. “Me shqetësim po e përcjellim gjendjen. Jemi të interesuar që të ulemi e të dilaogojmë. Ligji i Pagave është shumë i rëndësishëm për neve”, ka thënë Hykolli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata Shqiptarët e Bashkuar në Detroit të Migjigenit, lëshon këtë…