Greva pezullohet deri në janar

01 tetor 2022 | 15:21

Greva në sektorin publik të Kosovës është pezulluar, bënë të ditur përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Pezullimi i grevës mundëson që mësimi të nisë më 3 tetor.

Kreu i Këshillit grevist, Rrahman Jasharaj, tha në një konferencë për media më 1 tetor se greva nuk është mbyllur, por është pezulluar deri në janar të vitit 2023.

Ai porositi Qeverinë që ta shfrytëzojë këtë kohë për dialog me sindikalistët dhe mos ta marrë “si fitore, sepse nuk ka fituar askush”.

“Nga Qeveria kërkojmë që të takohemi në dialog të sinqertë për të realizuar kërkesat legjitime të anëtarësisë. Uroj që Qeveria dhe Parlamenti ta mbajë fjalën për Ligjin e pagave, për ndryshimin e Ligjit të skemave pensionale, e sidomos për kriterin diskriminues për 15 vjet kontributdhënës para vitit 1990. Uroj që të punohet bashkërisht Ligji për sigurime shëndetësore, uroj që tri palët në këshillin ekonomik-social ta nënshkruajnë Marrëveshjen Kolektive, diçka që është bazament për të drejtat e sindikalistëve në Kosovë”, tha Jasharaj.

Ndërkaq, kreu i BSPK-së, Atdhe Hykolli, tha se greva nuk ishte akt individual ose një grupi individësh, por tha se ishte mjet i veprimit sindikal, duke shtuar se greva e tyre ishte e ligjshme.

Greva në arsim dhe në administratën publike në nivelin lokal dhe qendror, nisi më 25 gusht.

Deri te pezullimi i grevës u tha se erdh pas votimit të anëtarësive të sindikalistëve. Në sindikatën e arsimit, 54.88 për qind e anëtarësisë ka votuar për pezullimin e grevës deri në janar.

Për shkak të grevës, për gati pesë javë, mbi 300.000 nxënës mbetën jashtë bankave shkollore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Elmi Reçica, deputet dhe kryetar i Komisionit për mërgatë, ka…