Greva vazhdon, qeveria hesht, opozita kërkon zgjidhje

20 shtator 2022 | 11:21

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka bërë me dije se ditët e fundit ka diskutuar me qeverinë dhe sindikatat për gjetjen e një zgjidhje dhe fillimin e procesit mësimor.

Ai u ka bërë thirrje SBAShK-ut dhe Qeverisë së Kosovës që të reflektojnë dhe të gjejnë një zgjidhje për ndërprerjen e grevës në arsim.

Institucioni i Avokatit të Popullit në një komunikatë për medie ka theksuar se, pavarësisht prej takimeve, nuk është arritur një marrëveshje në mes palëve për ndërprerjen e grevës. “Avokati i Popullit ditët e fundit ka mbajtur takime të ndara me përfaqësues të sindikatave dhe të qeverisë në përpjekje për të ndihmuar për dalje nga kjo situatë. Përkundër përpjekjeve të bëra nga ana e tij si ndërmjetësues, fatkeqësisht, nuk është arritur një marrëveshje mes palëve. Palët nuk kanë gjetur një konsensus. Ato kanë mbajtur qëndrimin e njëjtë kur vjen në pyetje lartësia financiare e pakos mbështetëse”, është thënë në komunikatë, shkruan “Epoka e re”.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ua ka rikujtuar palëve se çdo qëndrim apo veprim, në qendër të çdo prioriteti duhet ta ketë interesin më të mirë të fëmijës dhe të drejtën e fëmijëve për edukim dhe arsimim si e drejtë e garantuar me Kushtetutë.

“Parimi i interesit më të mirë për fëmijët duhet ta udhëheqë secilin prej nesh në kuadër të përmbushjes së detyrimeve dhe të përgjegjësive që kemi”, ka pohuar ai.

Avokati i Popullit rikujton përgjegjësinë kushtetuese e ligjore të qeverisë dhe detyrimin pozitiv që ka shteti për respektimin e së drejtës për arsimim dhe respektim të të drejtave dhe të lirive të njeriut, siç janë të përcaktuara në Kushtetutë.

Edhe të hënën partitë opozitare i kanë bërë thirrje kryeministrit Kurti që të gjejë një zgjidhje për ta ndërprerë grevën në arsim.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se mbi 300 mijë nxënës po vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi edhe sot e do të duhej të ishin në shkollë që gati tri javë.

“Refuzimi i qeverisë për dialog po vazhdon t’i dëmtojë të gjithë, më së shumti nxënësit. Nga 1 shtatori jeta e prindërve dhe mësimdhënësve është vështirësuar edhe më tej. Kjo bllokadë, që po ndodh si pasojë e kokëfortësisë së qeverisë, kërkon zgjidhje urgjente. Mësimdhënësit nuk po kërkojnë pazare e as lëmoshë, por vetëm dinjitet. Dinjiteti është boshti i veprimtarisë së tyre historike dhe qeveria nuk duhet t’ua mohojë këtë vlerë. Janë po këta njerëz që edhe në periudha më të vështira kanë ruajtur dinjitetin tonë njerëzor dhe kombëtar. Duhet t’i mirëkuptojmë, sepse janë prindërit tanë të dytë. Kryeministër, për hir të fëmijëve, gjej zgjidhje!”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Kryetarja e Forumit e Gruas e LDK-së, Jehona Lushaku, ka thënë se shtyrja e fillimit të vitit shkollor po i dëmton nxënësit dhe prindërit. Ajo ka kërkuar nga qeveria që të gjejë zgjidhje të menjëhershme. Lushaku në një konferencë për medie ka theksuar se mbi 1 040 shkolla dhe 318 000 nxënës në gjithë Kosovën tash e tri javë nuk janë duke e zhvilluar procesin mësimor, e gjithë kjo si pasojë e arrogancës së pushtetit i cili, në vend se të dialogojë, po vazhdon me polarizim të skajshëm shoqëror duke privuar nxënësit nga mësimi.

Lushaku i bëri thirrje qeverisë që në mënyrë urgjente ta fillojë dialogun duke gjetur zgjidhje të menjëhershme, që procesi mësimor të fillojë sa më parë.

“Kjo krizë e krijuar është duke pasur ndikim enorm ekonomik te familjet, pasi që prindërit janë duke rrezikuar vendet e tyre të punës. Qeveria duhet ta ketë ndjeshmërinë e përgjegjësinë e duhur që fëmijët të kthehen në bankat shkollore menjëherë e prindërit t’i kthehen punës dhe funksionimit të rregullt”, ka thënë ajo.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e ka akuzuar SBAShK-un se po refuzon bashkëpunimin me qeverinë dhe ndërmjetësit për të gjetur një zgjidhje për grevën në arsim. Ajo ka treguar se bashkë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, janë takuar të shtunën me Avokatin e Popullit për të diskutuar për grevën në arsim.

Nagavci në “Facebook” ka theksuar se kanë shprehur gatishmërinë për ta vazhduar dialogun dhe fillimin e procesit mësimor njëkohësisht. E para e Arsimit thotë se si pasojë e atij takimi kanë pranuar një letër nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj, të cilën e kanë shqyrtuar dhe menjëherë i kanë kthyer përgjigje, duke adresuar propozimet e tij.

“Si qeveri kemi pritur që të ketë gatishmëri edhe nga SBAShK-u dhe ta vazhdojmë dialogun social e të fillojë mësimi. Por, përmes medieve kemi parë tashmë që Sindikata ka dalë me qëndrim se greva vazhdon”, ka shkruar Nagavci.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri, ka thënë se…