Grezda krahason Shqipërinë me “fortesën” e Rangersave
Futbollisti i Rangersit, Eros Grezda, i cili në fundjavën e shkuar ishte spektakolar në fitoren 7-1 ndaj Motherwellit, e priste me padurim këtë përballje ndaj Skocisë për hakmarrjen e humbjes 2-0 në Glasgou.
Në një prononcim të bërë për mediet skoceze, “www.dailyrecord.co.uk”, ai e ka krahasuar Shqipërinë si një farë “Ibrox Stadium” në Glasgou, pra shtëpia e Rangersit.
“Në Glasgou u mundëm sepse kishim shumë mungesa dhe lojtarë jo në formë, por tani do të jetë ndryshe. Pastaj, kur luajmë në vendin tonë transformohemi. Shqipëria është njësoj si stadiumi i klubit ku luaj, Rangers, pra Ibrox Stadium. Aty askush nuk na mund”, ka thënë Grezda.
Sa iu përket shanseve në grup, Grezda ka deklaruar: “Ne do ta kërkojmë fitoren për të mos rënë një ligë më poshtë, pastaj nëse fitojmë 3-0 aq më mirë. Objektivi kur nisi Liga e Kombeve nuk ishte ky, por tashmë duhet të fokusohemi vetëm në këtë ndeshje”.