Grezda: Nuk është e lehtë të humbësh 4-0
Eros Grezda ishte një nga lojtarët më aktiv në fushën e lojës, në ndeshjen kundër Skocisë, që ekipi ynë kombëtar luajti një ditë më parë në Shkodër.
Sulmuesi, që aktivizohet me Rangers, edhe pse nuk ishte stërvitur me ekipin kuqezi gjatë javës, ishte pjesë e formacionit të titullarëve duke e mbyllur takimin deri në fund. Futbollisti kuqezi ka folur sot para medieve duke analizuar situatën në ekip dhe gjendjen e skuadrës pas humbjes.
Situata në skuadër?
Jemi në situatë shumë të vështirë. Nuk jemi në krizë, por mënyra e vetme që të kalojmë këtë është të jemi të bashkuar. Duhet të mbajmë kokën lartë dhe të rregullojmë gabimet që kemi bërë.
Mbledhja e sotme?
Ishte një mbledhje e zakonshme, normalisht pas çdo ndeshje ekipi bën mbledhjet e veta. Edhe po të kishim fituar sërish do kishim diskutuar. Kështu që trajneri na foli për problemet që kishim dje. Kemi edhe një takim tjetër, kështu që duhet të mbajmë motivimin lart.
Gjendja fizike?
Kisha probleme. Unë u ndjeva mirë megjithatë. Për aq forca sa kishim sepse ai karton na dëmtoi shumë. Më shqetësoi pak pulpa po nuk është asgjë serioze.
Çfarë nuk shkon në skuadër?
E vetmja ndeshje që duhet të të marrim shembull është ajo me Turqinë. Ka edhe lojtarë si Sadiku dhe Roshi që mungojnë, nuk është njësoj pa ta. Duhet të japim maksimumin. Kemi shumë diferencë nga viti kaluar. Duhet të bëhemi grup.
Ngacmim nga shokët e skuadrës?
Isha shumë i nevrikosur. Nuk është e lehtë të humbësh në shtëpi 4-0. Nuk u ndjeva mirë. Ishin shumë rrethana që ne e humbën ndeshjen me atë rezultat.
Dëmtimet në skuadër sa kanë ndikuar?
Nuk është se nuk kemi lojtar kualitativ. Eksperienca e tyre do të thotë shumë për ne. Nuk është njësoj të luash si me klubin si me kombëtaren. Për të qenë këtu duhet eksperiencë.
Tifozët kuqezi?
Më vjen shumë keq për ata që u zhgënjyer sepse ishte rezultat i thellë. Kanë treguar gjithmonë se janë lojtar i 12-të. I bëj thirrje që të na përkrahin prapë. Shpresoj t’i bëjmë krenar. /Telesport/