Grezda, Partizanit: Ja sekretet e Tokiçit
Në Tiranë gjendet trajneri Mario Tokiç, i cili thuhet se është projektuar si tekniku i ardhshëm i Partizanit.
Mirëpo, tekniku kroat një vit më parë ka drejtuar disa shqiptarë te Lokomotiva e Zagrebit, mes tyre edhe Eros Grezdën. Për “Panorama Sport”, mesfushori i Kombëtares tregon si është ai. Futbollisti i Osijek tregon edhe arsyen e dëmtimit që po e mban jashtë prej disa javësh.
Jeni jashtë prej dëmtimit në kavilje. Luajtët i dëmtuar me Norvegjinë apo u dëmtuat në Kroaci dhe u rikthyet në fushë para kohe?
Grezda: Një dëmtim në stërvitje gjatë grumbullimit me Kombëtaren më kushtoi shumë sepse luajta me dhimbje dhe i dëmtuar. Kur erdha në klub, kisha shumë problem dhe këmba nuk ishte mirë. Provova që të luaj kundër Lokomotivës jo në 100 për qind dhe tani më kushtoi e për një muaj jam jashtë. Tani po rikuperohem.
Keni ndaluar në momentin më të mirë, por jeni ndër më të kërkuarit…
Grezda: Kisha një sezon mjaft të mirë dhe gjithçka po ecte mirë. Kisha disa mundësi, për të cilat nuk mund t’i quaj as oferta, pasi nuk ishin zyrtare, por vetëm interesime. Tani nuk e di se sa do të ndikojë dëmtimi dhe se çfarë do të ndodhë me klubet.
Çfarë kampionati prireni që të zgjidhni?
Grezda: Nuk e kam menduar ende largimin. Dua të kontribuoj me sa kam mundësi për Osijek për sa kohë jam në këtë ekip. Më pëlqen kampionati gjerman.
Përflitet se do të vijë ish-trajneri i Lokomotivës te Partizani…
Grezda: Më vjen shumë mirë që Tokiç mund t’i bashkohet Partizanit. Është një trajner shumë i mirë. Mbi të gjitha, ka ambicie dhe ia vlen të punosh me të. Është i qetë. Ai krijon raporte të mira me futbollistët.
Ka ndonjë rregull specifik apo diçka të cilën nuk e toleron?
Grezda: Jo, normal si të gjithë trajnerët. Gjatë ndeshjeve është disi nervoz, mirëpo e bën punën me përkushtim dhe gjithmonë kërkon fitoren. Për të s’ka rëndësi niveli i kundërshtarit apo kompeticioni, do vetëm fitore.
Është i prirë drejt punës me të rinjtë apo iu beson kryesisht lojtarëve me eksperiencë për formacionin?
Grezda: Nuk ka pëlqime personale. Ai i përkrah shumë të rinjtë, por lojtarët që do ta meritojnë formacionin, do të jenë në fushë nën drejtimin e tij.