Grezda transferohet në Francë
Sulmuesi i krahut, Eros Grezda, do të luajë për ekipin nga Ligue 1, Brest.
Mediumet franceze kanë njoftuar të premten se ekipi francez ka arritur marrëveshje si me Grezdën ashtu edhe me skuadrën e Glasgow Rangers.
Mësohet se Bresti do të paguajë dy milionë euro dëmshpërblim për kartonin e Grezdës, i cili me ekipin francez do të firmosë kontratë katërvjeçare. 24-vjeçari pritet të zyrtarizohet gjatë këtyre ditëve te Bresti pas kontrollimeve mjekësore.
Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë po largohet nga Rangersi pas një edicioni jo të mirë, në të cilin nuk arriti të bindë drejtuesit e klubit me paraqitjet e tij.
Ai pati edhe lëndime të shumta dhe gjatë edicionit të shkuar regjistroi vetëm 17 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar dy gola dhe asistuar vetëm një herë.
Grezda vitin e shkuar iu bashkua Rangersit për dy milionë euro nga Osijeku i Kroacisë dhe firmosi kontratë deri në vitin 2022.
Grezda ka edhe 12 ndeshje e një gol të shënuar me Shqipërinë, kurse karrierë ka bërë edhe tek ekipet si Lokomotiva, Zavrc e Aluminij.