Grezda: Unë nuk jam Balotelli
Eros Grezda ishte një nga mungesat më të rëndësishme të kombëtares shqiptare në ndeshjet e fundit kualifikuese për “Euro 2020”.
Futbollisti duket se ka pasur një përplasje me trajnerin Edi Reja, të cilën e pohoi edhe në “Ora Sport”. Gjithashtu, lojtari i Rangersit konfirmoi që në verë ishte shumë pranë kalimit në kampionatin francez, te Brest.
“Kanë ndodhur gjëra në karrierën time që nuk më lejuan të jem në këtë grup. Italishten nuk është se e di mirë. Atë që e ka thënë trajneri nuk e kam marrë mirë, por nga ato që tha përkthyesi dhe portalet, kam shkruar atë status. Unë nuk kam marrë asnjë ftesë. Nga ai incident në qershor nuk kam marrë ftesë nga kombëtarja. Nuk kam marrë asnjë kontakt të vogël. Më shumë problem mund ta quaj se nuk po luaj me klubin pasi, nëse luaj mirë me klubin, nuk besoj se do të mungojë ftesa”, ka thënë Grezda.
“Unë do t’ia lija më shumë fajin, që nuk kam minuta te Rangersi, trajnerit të kombëtares. Është skuadra e lojtarëve që nuk luajnë. Kam bërë maksimumin dhe kjo është reflektuar edhe në javët e fundit. Duhet të jem i koncentruar për të arritur sa më mirë. Më intereson më shumë një ekip i fortë. Erdhi një ofertë zyrtare nga Bresti. Unë e kisha qejfin që të shkoja atje sepse ishte shumë i interesuar për mua, diçka që më mërziti mua dhe njëkohësisht më penalizoi. Grezda nuk është Balotelli. Të gjithë ata që më njohin e dinë mirë kush është Grezda. Nuk kam bërë kurrë fjalë me Gerrardin, por me Rejën ishte një gjë komplet ndryshe”, ka shtuar Grezda.