Griezmanni refuzon Unitedin për Barcelonën
Sulmuesi francez Antoine Griezmann nuk ka ndërmend të largohet nga La Liga, ndaj ka vendosur të pranojë ofertën 100 milionë euro që i ka bërë skuadra e Barcelonës, duke refuzuar një tjetër ofertë që ka ardhur nga Premier League.
Për sulmuesin 27-vjeçar ishte interesuar edhe Manchester United, por Griezmann ka preferuar të luajë në “Camp Nou” sezonin tjetër, lajm që konfirmohet nga e përditshmja britanike “The Sun”.
Duket se edhe oferta e bërë nga skuadra “blaugrana” është shumë më e lartë për sulmuesin e Atletico Madrid, që është në kërkim të një ekip ku mund të triumfojë në Champions League. Këtë sezon, sulmuesi ka realizuar 23 gola në 38 ndeshje me fanellën e Atletico, që kërkon të rrisë klauzolën për largimin e lojtarit në 200 milionë euro, për ta mbajtur edhe sezonin tjetër.
Manchester United shpresonte që të marrte Griezmann duke futur në marrëveshje mesfushorin francez Paul Pogba, duke e transferuar atë në La Liga, por duket se edhe kjo ide e Mourinho ka dështuar. Trajneri portugez Jose Mourinho është në kërkim të një sulmuesi të dytë për ta pasur në krah të Romelu Lukaku, ndaj dhe kishte shënjestruar Griezmann, por sulmuesi duket se ka të tjera plane për të ardhmen e tij. (Telesport)