Gripi i shpezëve në Kosovë, asgjësohen rreth dhjetë ferma

13 qershor 2021 | 15:07

Javë më parë u konfirmua prania e gripit të shpezëve, tipi H5N8, në vendin tonë. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kishte njoftuar se mostra e testuar në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë ka detektuar praninë e gripit të shpezëve Influenca Aviane A Subtipizimi H5 dhe N8 ( Gripi i shpezëve H5N8).

Si rezultat i kësaj deri më tash janë asgjësuar rreth 10 ferma, kështu ka bërë me dije, në një prononcim për “Telegrafin”, zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi. “Deri më tash janë rreth 10 ferma që janë asgjësuar, kryesisht ferma të ekonomive familjare që pas marrjes së mostrave kanë rezultuar pozitiv me gripin e shpezëve H5N8”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka treguar se rastet e gripit të shpezëve që janë konfirmuar janë në shumicën e komunave të Kosovës, përfshirë këtu Prizrenin, Rahovecin, Skenderajn, Mitrovicën, Malishevën dhe disa komuna të tjera.

Ai ka shtuar se inspektorët janë në terren duke lokalizuar fermat e prekura te të cilat kryhen të gjitha shërbimet duke përfshirë edhe asgjësimin e shpezëve të ngordhura dhe atyre të pranishme në fermë nën mbikëqyrje të veterinerëve zyrtarë duke respektuar masat e biosigurisë.

Sipas OBSh-së gripi i tipit H5N8 është një nënlloj i virusit të gripit A (ndryshe i quajtur grip i shpezëve), i cili është shumë vdekjeprurës për zogjtë e egër dhe shpezët. H5N8 zakonisht nuk infekton njerëzit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të…