Gripshi: Kam ofertë nga Turqia
Nazmi Gripshi është një nga talentet më premtues që ka nxjerrë Kategoria Superiore e Shqipërisë. Futbollisti shqiptar, pas largimit nga Skënderbeu, vijon karrierën në Kosovë, atje ku mban veshur fanellën e Ballkanit.
Megjithëse ka edhe një vjet kontratë me klubin, ofertat për të nuk kanë munguar. Gripshi zbulon në studion e “Sport Magazine” në “Ora News” se në adresë të tij kanë mbërritur oferta nga Shqipëria për Kupat e Evropës si dhe nga elita e Turqisë.
“Kam edhe një vit kontratë me Ballkanin, por kam pasur disa oferta jashtë Kosovës vetëm për Kupat e Evropës. Në Shqipëri kam pasur ofertë vetëm për Kupat e Evropës, ndërsa kam pasur edhe nga Turqia. Bëhet fjalë për elitën e Turqisë. Emri i ekipit? Nuk zbulohet, por është i porsangjitur”, ka thënë Gripshi.