Gruaja e djalit të Trumpit dërgohet në spital
13 shkurt 2018
| 11:03
Gruaja e djalit të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është dërguar në spital pasi ka hapur një zarf me pluhur të bardhë, bëri të ditur policia.
Letra i është adresuar Donal Trump Jr, djalit të madh të presidentit, në apartamentin e tij në Menhatën.
Vanessa Trump dhe dy të tjerë në vendin e ngjarjes janë dekontaminuar nga zjarrfikësit dhe janë dërguar në spital për ekzaminim.
Policia në Nju Jork ka thënë se e ka testuar pluhurin e bardhë në zarf dhe ka konfirmuar se nuk ka qenë i rrezikshëm.
Policia ka thënë se zonja Trump nuk duket se ka prekur fizikisht substancën.
Trump Jr ka shkruar më pas në Twitter se familja e tij është mirë, ndërsa incidentin e ka cilësuar si “të neveritshëm”.