Gruaja e ish-presidentit, Abdixhikut: Je duke e vazhduar rrugën e Ibrahim Rugovës, shpresoj të fitojmë më 9 shkurt
Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës Lumir Abdixhiku, pas homazheve tek varri i presidentit Ibrahim Rugova, ka shkuar tek familja Rugova për vizitë.
Në këtë vizitë ku u prit nga familja, gruaja e presidentit Rugova, Fana, kishte shumë fjalë të mira për Abdixhikun. Ajo tha se Abdixhiku po e ndjek rrugën e Rugovës. Prandaj, shpreson që më 9 shkurt do të ketë bindshëm fitore.
“Po e vazhdoni atë rrugë. Faleminderit prej juve shumë për kujdesin në mënyrë përmanente për neve. Shumë bukur po ju shkon fushata. Shpresoj që do të kemi më 9 shkurt bindshëm fitore. Suksese, urime”, ka thënë Fana Rugova.
Ndërkohë, Abdixhiku ka thënë se 19 vite pas vdekjes së Rugovës ende janë duke ndjekur rrugën dhe vizionin që ai ka pasur.
“Jemi krenar dhe jemi gjithë të vegjël përballë një figure kaq të madhe historike. Ta dini se keni një familje të madhe politike me ju që janë pasardhës politik të presidentit Rugova që ndjekin edhe pas 19 viteve pas vdekjes së tij rrugëtimin e njëjtë, një ëndërr të njëjtë, një vizion të njëjtë, një Kosovë e qytetarëve e popullit të Kosovës. Një Kosovë euroatlantike, një Kosovë ku familjet tona dhe rinia jonë bëjnë jetën këtu. Një Kosovë me aleat me miq, një Kosovë të pavarur e sovrane të anëtarësuar në NATO e BE, e me miqësi të përhershme më SHBA-në. Ky ka qenë misioni i presidentit Rugova dje, është mision i LDK sot, do të jetë misioni i çdo rugovisti nesër e përherë”, tha ai