Gruaja e Zelensky-t ka blerë Bugatti 4.4 milionë euro? Reagon menjëherë kompania e makinave!
Një lajm i rremë u përhap ditën e djeshme në Twitter (X), ku u publikua një faturë që pretendohej se ishte e blerjes së një makine super-luksoze nga gruaja e presidentit të Ukrainës Volodomyr Zelensky, Olena Zelenska.
Një prej atyre që e shpërndanë këtë lajm të rremë është edhe Jackson Hinkle, një amerikan kontrovers, i njohur për përhapjen e lajmeve të pavërteta dhe propagandës ruse.
“Gruaja e presidentit ukrainas Zelensky sapo bleu një makinë sportive Bugatti prej 4,4 milionë eurosh me dollarë të taksapaguesve amerikanë”, shkroi ai në një postim që mori plot 65 mijë pëlqime dhe deri tani 6.6 milionë shikime.
Në fakt, rezultoi se fatura ishte e rreme, e postuar fillimisht në një forum nigerian.
Më pas, lajmi i rremë detyroi edhe kompaninë Bugatti me degë në Paris, ku pretendohej se ishte blerë makina, që të reagonte.
Në reagim, Bugatti Paris, jo vetëm që hedh poshtë këto aludime, por thotë se ka marrë masat e duhura për ta denoncuar një mashtrim të tillë te autoritetet përkatëse.