Gruaja e Zelenskyt rrëfen për ndikimin e luftës në jetën familjare
Zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska, i ka thënë BBC-së për ndikimin emocional që ka pasur në familjen e saj pushtimi i Rusisë dhe lufta që rezultoi.
Në një intervistë shumë personale, ajo tha se ishte e vështirë t’i shihte fëmijët e saj të jetonin në pasiguri, të paaftë për të planifikuar për të ardhmen e tyre.
Ajo foli edhe për mungesën e familjes për ta kaluar kohën së bashku.
“Kjo mund të jetë pak egoiste, por unë kam nevojë për bashkëshortin tim pranë meje, jo për një figurë historike”, tha ajo.
Kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022, Olena Zelenska kaloi muaj të tërë duke u fshehur në vende sekrete me fëmijët e saj.
Ajo e përshkroi gjendjen e saj emocionale në fillim të pushtimit si “një ndjenjë konstante adrenaline”. Me kalimin e kohës, ajo e kuptoi se ishte “e nevojshme” të qetësohej dhe të fillonte të jetonte jetën në “kushtet ekzistuese”.
Lufta e vuri në qendër të vëmendjes ish-skenaristen dhe që atëherë ajo ka udhëtuar nëpër botë për të takuar udhëheqës dhe për të mbajtur fjalime.
“Me burrin nuk jetojmë bashkë. Familja është e ndarë”.
Olena Zelenska i tha BBC-së: “Ne kemi mundësinë të shohim njëri-tjetrin, por jo aq shpesh sa do të donim. Djalit tim i mungon babai”.
“Por ne qëndrojmë të fortë, kemi forcë si emocionalisht ashtu dhe fizikisht. Dhe jam e sigurt se do ta përballojmë së bashku”, shtoi ajo.
Megjithatë, pasiguria e të jetuarit në luftë ka një kosto emocionale për fëmijët e saj, tha ajo.
“Më dhemb kur shikoj që fëmijët e mi nuk planifikojnë asgjë. Në një moshë të tillë, të rinj. Vajza ime është 19 vjeçe. Ata ëndërrojnë për udhëtime, për ndjesi të reja, emocione. Ajo nuk e ka një mundësi të tillë”, ka thënë Zelenska, shkruan BBC, transmeton Klankosova.